Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT) ka realizuar 70 inspektime ndaj kompanive të shërbimeve postare që merren me bartjen dhe shpërndarjen e produkteve të porositura përmes platformave online.
Si rezultat i këtyre inspektimeve, tri kompani postare janë gjobitur me gjithsej 9 mijë euro, pasi kanë refuzuar të ofrojnë të dhëna për bizneset apo personat fizikë nga të cilët kishin pranuar produktet që transportonin drejt konsumatorëve.
Ndërkohë, përmes monitorimit të rrjeteve sociale dhe platformave online të shitjes, janë identifikuar edhe dy persona fizikë që ushtronin veprimtari tregtare pa pasur biznes të regjistruar.
Ndaj tyre janë shqiptuar dy gjoba, ndërsa janë obliguar që brenda afatit të përcaktuar nga inspektorët të bëjnë regjistrimin e bizneseve të tyre.
Një nga rezultatet e këtij aksioni është edhe formalizimi i mbi 100 bizneseve, të cilat që nga fillimi i aktiviteteve inspektuese janë regjistruar në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës (ARBK).
Në kuadër të mbikëqyrjes së tregut dhe mbrojtjes së konsumatorëve, IQMT ka nisur gjithashtu inspektimin e ofertave dhe zbritjeve që bizneset po promovojnë me rastin e “Black Friday”.
Inspektorati do të mbikëqyrë në mënyrë të veçantë nëse çmimet e reklamuara me zbritje përputhen me çmimet reale me të cilat produktet dhe shërbimet u ofrohen konsumatorëve.
Sipas IQMT-së, në rastet kur çmimi i promovuar si çmim me zbritje nuk përkon me çmimin real në momentin e blerjes, një praktikë e tillë konsiderohet e padrejtë dhe mashtruese ndaj konsumatorëve.
Për këto raste, në përputhje me dispozitat e Ligjit për Mbrojtjen e Konsumatorit, do të ndërmerren masat përkatëse dhe do të shqiptohen gjoba ndaj bizneseve përgjegjëse.
IQMT ka bërë të ditur se aksioni për mbikëqyrjen e tregtisë online do të vazhdojë edhe në periudhën e ardhshme, ndërsa inspektimet ndaj bizneseve që operojnë përmes platformave online tashmë janë përfshirë në planin e rregullt të punës së këtij institucioni.