​Industria në Kosovë shënon rritje, prin ky sektor

Ekonomi

​Industria në Kosovë shënon rritje, prin ky sektor

Më: 18 nëntor 2026 Në ora: 17:02
Aktivitetet ekonomike sipas NACE Rev 2

Sektori i minierave dhe guroreve në Kosovë ka shënuar rritje të qarkullimit prej 38,67 pwr qind gjatë shtatorit 2026, por njëkohësisht ka regjistruar rënie të punësimit prej 10,14%.

Këto të dhëna janë publikuar të mërkurën nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), në raportin mbi Statistikat Afatshkurtra të Industrisë për muajin shtator 2026, transmeton KosovaPress.

Sipas ASK-së, qarkullimi i përgjithshëm në sektorin e industrisë është rritur për 2,10% krahasuar me shtatorin e vitit 2025.

Rritjen më të madhe e ka shënuar industria nxjerrëse, përkatësisht minierat dhe guroret, me 38,67%, pasuar nga furnizimi me ujë dhe veprimtaritë e menaxhimit e trajtimit të mbeturinave, me 8,25%.

Ndërkohë, sektori i furnizimit me energji elektrike, gaz, avull dhe ajër të kondicionuar ka regjistruar rritje të qarkullimit prej 6,96%.

Në anën tjetër, industria përpunuese ka shënuar rënie prej 0,93%.

Rritet punësimi në industri, minierat regjistrojnë rënie

Të dhënat e ASK-së tregojnë se numri i përgjithshëm i të punësuarve në sektorin industrial është rritur për 2,62% gjatë shtatorit 2026, krahasuar me muajin e njëjtë të vitit paraprak.

Rritja më e madhe e punësimit është regjistruar në industrinë përpunuese, me 3,52%, ndërsa në sektorin e furnizimit me ujë dhe menaxhimit të mbeturinave punësimi është rritur për 3,34%.

Megjithatë, industria nxjerrëse ka regjistruar rënie të numrit të të punësuarve prej 10,14%, pavarësisht rritjes së ndjeshme të qarkullimit.

Rënie e lehtë e punësimit, prej 0,48%, është shënuar edhe në sektorin e furnizimit me energji elektrike, gaz, avull dhe ajër të kondicionuar.

Fondi i pagave në industri rritet për 14,87%

Sipas raportit, fondi i përgjithshëm i pagave dhe mëditjeve në sektorin industrial është rritur për 14,87% gjatë shtatorit 2026, krahasuar me shtatorin e vitit 2025.

Rritjen më të madhe e ka regjistruar industria përpunuese, me 20,08%, pasuar nga sektori i furnizimit me ujë dhe menaxhimit të mbeturinave, me 11,59%.

Në industrinë nxjerrëse, fondi i pagave është rritur për 5,34%, ndërsa sektori i furnizimit me energji elektrike, gaz, avull dhe ajër të kondicionuar ka shënuar rënie prej 1,37%.

Të dhënat e ASK-së tregojnë se, ndonëse industria e Kosovës ka regjistruar rritje të qarkullimit, punësimit dhe fondit të pagave në nivel të përgjithshëm, zhvillimet ndryshojnë ndërmjet aktiviteteve industriale.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat