​Bitcoin pëson rënie të fortë, humb gati gjysmën e vlerës nga rekordi historik

Ekonomi

​Bitcoin pëson rënie të fortë, humb gati gjysmën e vlerës nga rekordi historik

Më: 15 nëntor 2026 Në ora: 16:36
​Bitcoin

Bitcoin ka pësuar një tjetër rënie të fortë, duke zbritur në nivelin më të ulët të 3 muajve, ndërsa tregu i kriptovalutave po përballet me presion të madh nga shitjet.

Sipas Bloomberg, të dielën, më 15 nëntor, Bitcoin ra deri në 63,311 dollarë, niveli më i ulët që nga 17 gushti 2026.

Kriptovaluta më e madhe në botë kishte humbur 5.7% të vlerës gjatë tregtimit të së shtunës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërsa rënia vazhdoi edhe gjatë tregtimit në tregjet aziatike.

Të dhënat e tregut tregojnë se Bitcoin ka humbur rreth 25% të vlerës që nga 21 tetori, ndërsa krahasuar me rekordin historik prej mbi 126,000 dollarësh, të regjistruar në tetor 2025, rënia arrin afërsisht 50%.

Sipas Bloomberg, ndër faktorët që kanë ndikuar në këtë situatë janë pritjet për norma më të larta interesi, tërheqja e investimeve nga fondet e tregtuara në bursë (ETF) të lidhura me Bitcoin dhe pasiguria në tregjet financiare.

Presioni është shtuar edhe nga mbyllja e detyruar e pozicioneve të investitorëve që kishin përdorur fonde të huazuara për të investuar në kriptovaluta.

Sipas të dhënave të CoinGlass, brenda 24 orëve janë likuiduar pozicione në kriptovaluta me vlerë rreth 1.9 miliardë dollarë, prej të cilave 684 milionë dollarë lidhen me Bitcoin.

Ndërkohë, nga 30 tetori deri më 13 nëntor, fondet amerikane ETF të Bitcoin kanë regjistruar tërheqje neto prej afro 3 miliardë dollarësh.

Analistët paralajmërojnë se tregu mbetet i ndjeshëm ndaj lëvizjeve të normave të interesit dhe ndryshimeve në gatishmërinë e investitorëve për të marrë rrezik.

Megjithatë, disa ekspertë vlerësojnë se Bitcoin mund të jetë duke iu afruar një niveli teknik mbështetës, pas rënies së thellë të javëve të fundit. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat