Sa të sigurta janë bankat në Kosovë? BE-ja publikon vlerësimin, BQK-ja zbulon shifrat

Ekonomi

Sa të sigurta janë bankat në Kosovë? BE-ja publikon vlerësimin, BQK-ja zbulon shifrat

Më: 4 nëntor 2026 Në ora: 17:53
Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK)

Sektori bankar në Kosovë mbetet i qëndrueshëm, ndërsa Komisioni Evropian ka vlerësuar pozitivisht përparimin në reformat financiare dhe përafrimin e legjislacionit me standardet e Bashkimit Evropian.

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) ka mirëpritur gjetjet e Raportit të Komisionit Evropian për vitin 2026, duke theksuar se dokumenti konfirmon stabilitetin e bankave dhe progresin në modernizimin e sistemit financiar.

Sipas komunikatës së BQK-së, raporti evidenton se në fund të qershorit 2026, norma e mjaftueshmërisë së kapitalit në sektorin bankar ishte 17.1 për qind, ndërsa niveli i kredive joperformuese ishte 2 për qind.

Këta tregues, sipas institucionit, dëshmojnë qëndrueshmërinë e bankave dhe kapacitetin e tyre për të mbështetur aktivitetin ekonomik në vend.

Komisioni Evropian ka vlerësuar gjithashtu progresin e Kosovës në fushën e lëvizjes së lirë të kapitalit, veçanërisht miratimin e legjislacionit për shërbimet e pagesave dhe parandalimin e pastrimit të parave e financimit të terrorizmit.

Një zhvillim pozitiv është konsideruar përfshirja e dispozitave për Bankimin e Hapur (Open Banking) në Ligjin për Shërbimet e Pagesave, që synon avancimin e digjitalizimit të shërbimeve financiare.

Sipas BQK-së, rekomandimet e vitit paraprak në këtë fushë janë zbatuar në masë të madhe.

Raporti evidenton edhe përafrimin e legjislacionit bankar me standardet evropiane për kërkesat e kapitalit, rimëkëmbjen dhe zgjidhjen e bankave.

Në këtë drejtim, është vlerësuar përcaktimi i BQK-së si autoritet përgjegjës për zgjidhjen e bankave dhe hapat e ndërmarrë për funksionalizimin e këtij mekanizmi.

Vëmendje e veçantë i është kushtuar edhe modernizimit të sistemeve të pagesave, përfshirë përgatitjet për aplikimin e Kosovës në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro (SEPA).

Sipas BQK-së, Ligji për Shërbimet e Pagesave krijon bazën për zhvillimin e shërbimeve moderne, rritjen e konkurrencës dhe inovacionit, si dhe integrimin e mëtejshëm financiar të vendit në tregun evropian.

Raporti ka njohur gjithashtu progresin në zbatimin e udhërrëfyesit për Procesin e Rishikimit dhe Vlerësimit Mbikëqyrës (SREP), me synimin që deri në fund të vitit 2027 të realizohet kalimi drejt mbikëqyrjes së plotë të bazuar në rrezik.

Guvernatori i BQK-së, Ahmet Ismaili, ka deklaruar se vlerësimet e Komisionit Evropian përbëjnë njohje të rëndësishme të reformave të ndërmarra.

“Vlerësimet e Komisionit Evropian konfirmojnë qëndrueshmërinë e sektorit bankar dhe njohin progresin e reformave që po zbatojmë në kuadër të mandatit të BQK-së. Avancimi i mbikëqyrjes së bazuar në rrezik, modernizimi i kornizës ligjore dhe rregullative, zhvillimi i sistemeve të pagesave dhe forcimi i kapaciteteve institucionale mbeten prioritete të rëndësishme të punës sonë. Jemi të përkushtuar të vazhdojmë me zbatimin e reformave dhe adresimin e rekomandimeve të Komisionit Evropian, duke ruajtur pavarësinë institucionale dhe duke kontribuar në integrimin financiar dhe ekonomik të Kosovës në Bashkimin Evropian”, citohet Ismaili në komunikatë.

BQK-ja ka bërë të ditur se do të vazhdojë reformat për forcimin e mbikëqyrjes bankare, zhvillimin e tregut të sigurimeve, modernizimin e pagesave dhe përmirësimin e qeverisjes institucionale.

Institucioni ka ritheksuar përkushtimin për bashkëpunim me Komisionin Evropian dhe partnerët ndërkombëtarë në zbatimin e rekomandimeve të raportit për vitin 2026.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat