Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka kritikuar qeverisjen për situatën energjetike në vend, duke e cilësuar miratimin e masave për energjinë elektrike si dëshmi të dështimit të politikave qeveritare.
Përmes një reagimi, Hoti ka komentuar miratimin e masave nga Kuvendi i Kosovës në orët e vona të mbrëmjes, në një kohë kur energjia elektrike ishte ndërprerë edhe në objektin e Kuvendit.
Ai ka vlerësuar se në vend të miratimit të masave të tilla, institucionet është dashur të fokusohen në projekte afatgjata për rritjen e kapaciteteve prodhuese të energjisë elektrike.
Sipas tij, një alternativë do të ishte miratimi i kredive garantuese për KEK-un për ndërtimin e termocentraleve të reja, ose realizimi i projekteve përmes partneriteteve.
Hoti ka kritikuar gjithashtu kontratat për shitjen e qymyrit në Maqedoninë e Veriut dhe blerjen e energjisë elektrike nga i njëjti shtet, për të cilën pretendon se është paguar deri në dhjetë herë më shtrenjtë sesa kostoja e prodhimit në KEK.
Deputeti i LDK-së ka rikujtuar edhe projektin “Kosova e Re” dhe projektin e gazit, duke pretenduar se, po të mos ishin anuluar, Kosova sot do të kishte perspektivë dukshëm më të mirë në sektorin energjetik.
“Sikur të mos anulohej projekti Kosova e Re, sot, pas gjashtë vitesh, do të furnizoheshim nga Termocentrali Kosova e Re me çmim fiks prej 80 euro për MWh”, ka shkruar ai.
Në fund, Hoti ka paralajmëruar se, në mungesë të investimeve dhe projekteve për ndërtimin e kapaciteteve të reja prodhuese, problemet me furnizimin me energji elektrike do të vazhdojnë edhe për të paktën pesë vjet.
Ai ka theksuar se pasojat e kësaj situate po i bartin qytetarët dhe bizneset, të cilat, sipas tij, po humbin konkurrueshmërinë për shkak të kostove të larta të energjisë.