19 biznese nga Japonia në Forumin e Brezovicës, Kusari: Bashkëpunimi po intensifikohet

Ekonomi

19 biznese nga Japonia në Forumin e Brezovicës, Kusari: Bashkëpunimi po intensifikohet

Nga: A.M. Më: 18 nëntor 2026 Në ora: 18:23
Mimoza Kusari

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari ka bërë të ditur se në kuadër të Forumit të Brezovicës ka zhvilluar një takim me 19 biznese dhe investitorë nga Japonia, me të cilët ka diskutuar mundësitë e bashkëpunimit ekonomik dhe investimeve në Kosovë.

Përmes një postimi në Facebook, Kusari ka bërë të ditur se delegacioni japonez është udhëhequr nga i Ngarkuari me Punë në Ambasadën e Japonisë në Kosovë, Hiroyasu Tanigaki, dhe ambasadori i Kosovës në Japoni, Sabri Kiçmari.

Ajo ka theksuar se kjo është vizita e dytë e delegacionit japonez në Kosovë, pas asaj të realizuar vitin e kaluar, duke e cilësuar këtë si dëshmi të interesimit për bashkëpunim të vazhdueshëm.

Gjatë takimit, sipas Kusarit, është diskutuar për potencialet ekonomike të Kosovës, reformat strategjike dhe Strategjinë Industriale 2030, si dhe për planet zhvillimore në sektorë të ndryshëm.

Në veçanti, janë trajtuar projektet për zhvillimin e infrastrukturës hekurudhore, ndërtimin e kapaciteteve të reja të energjisë së pastër, përmirësimin e kapaciteteve logjistike dhe menaxhimin e transportit të mallrave.

Kusari ka përmendur gjithashtu mundësitë e bashkëpunimit në teknologjinë e informacionit dhe komunikimit (TIK) dhe zhvillimin e sistemeve softuerike, duke vlerësuar se të rinjtë dhe talentet kosovare po tërheqin vëmendjen e tregjeve ndërkombëtare.

Ajo ka shprehur mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Japonisë ndaj Kosovës, duke theksuar se bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve ndërtohet mbi besimin dhe vlerësimin e ndërsjellë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat