Tregtia me pakicë në Kosovë ka shënuar rritje të qarkullimit prej 11,91% gjatë shtatorit 2026, krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar.
Sipas të dhënave të publikuara të mërkurën nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), rritja më e madhe është regjistruar në tregtinë e karburanteve, produkteve ushqimore dhe mallrave të argëtimit, raporton KosovaPress.
Tregtia me pakicë e karburanteve për automjete në dyqane të specializuara ka shënuar rritje prej 30,57%, ndërsa tregtia e produkteve ushqimore, pijeve dhe duhanit është rritur për 28,74%.
Rritje prej 17,56% është regjistruar në tregtinë e mallrave kulturore dhe të argëtimit, ndërsa shitjet jashtë dyqaneve, përfshirë tregtinë përmes postës dhe internetit, kanë shënuar rritje prej 16,37%.
Sipas ASK-së, tregtia e pajisjeve informatike dhe të komunikimit është rritur për 10,31%, tregtia në dyqane jo të specializuara për 8,80%, ndërsa shitja e mallrave të tjera në dyqane të specializuara për 7,69%. Megjithatë, jo të gjitha aktivitetet tregtare kanë shënuar rritje.
Rënia më e theksuar është regjistruar në tregtinë e pajisjeve të tjera shtëpiake, ku qarkullimi ka rënë për 12,80% krahasuar me shtatorin e vitit 2025.
Rritet punësimi në tregti, por bie në sektorin e karburanteve
Të dhënat e ASK-së tregojnë se numri i të punësuarve në sektorin e tregtisë me pakicë është rritur për 4,39% në shtator 2026, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak.
Rritja më e madhe e punësimit është regjistruar në tregtinë e produkteve ushqimore, pijeve dhe duhanit, me 17,30%, pasuar nga tregtia e mallrave kulturore dhe të argëtimit me 13,64% dhe ajo e pajisjeve informatike dhe të komunikimit me 11,57%.
Në anën tjetër, sektori i tregtisë së karburanteve ka shënuar rënie të numrit të të punësuarve prej 13,27%, pavarësisht rritjes së qarkullimit në këtë aktivitet.
Fondi i pagave rritet mbi 21%
Një tjetër tregues i rëndësishëm është rritja e fondit të pagave dhe mëditjeve në sektorin e tregtisë me pakicë.
Sipas ASK-së, ky fond është rritur për 21,46% gjatë shtatorit 2026, krahasuar me shtatorin e vitit 2025.
Rritja më e madhe është regjistruar në tregtinë e produkteve ushqimore, pijeve dhe duhanit, me 48,23%, pasuar nga tregtia e mallrave kulturore dhe të argëtimit me 42,76%.
Në tregtinë e pajisjeve informatike dhe të komunikimit, fondi i pagave është rritur për 27,77%, ndërsa në tregtinë e mallrave të tjera në dyqane të specializuara për 24,19%.
Ndërkohë, sektori i karburanteve ka regjistruar rënie të fondit të pagave prej 0,63%.
Statistikat e publikuara nga ASK-ja përfshijnë tregtinë me pakicë, duke përjashtuar tregtinë e automjeteve dhe motoçikletave.