BE-ja do të marrë dy miliardë doza të vaksinës kundër COVID-19, një pjesë edhe për Ballkanin

Evropë

BE-ja do të marrë dy miliardë doza të vaksinës kundër COVID-19, një pjesë edhe për Ballkanin

Më: 27 nëntor 2020 Në ora: 14:54
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Bashkimi Evropian (BE) do të marrë rreth dy miliardë doza të vaksinës së koronavirusit, njoftoi presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen. Gjatë një bisede përmes videos me kancelarin austriak, Sebastian Kurz, ajo tha se kjo sasi e vaksinave mundëson vaksinimin e 700 milionë njerëzve, përfshirë qytetarë të Ballkanit Perëndimor dhe Afrikës.

Ajo ka thënë se Austria do të marrë dy për qind të numrit të përgjithshëm të vaksinave të porositura nga BE-ja, duke vlerësuar se kjo sasi është më shumë sesa që Austria mund të ketë nevojë.

Ajo tha se ndoshta vaksinat e para do të jenë në dispozicion në dhjetor. Komisioni Evropian (KE) nënshkroi kontratën e gjashtë për blerjen e vaksinave të koronavirusit të mërkurën më 25 nëntor. Kontrata u nënshkrua me kompaninë Moderna.

Sipas presidentes së KE-së, secila vaksinë së pari do të vlerësohet nga Agjencia Evropiane e Mjekësisë (EMA) përpara se të dalë në treg.

Më 19 nëntor ajo kishte njoftuar për mundësinë që "para fundit të muajit të ardhshëm", BE-ja të miratojë dy vaksina kundër koronavirusit, të cilat janë testuar nga kompanitë Pfizer-BioNTech dhe Moderna.

Von der Leyen më parë u ka bërë thirrje qytetarëve evropianë që të vazhdojnë të respektojnë kufizimet.

Vendet evropiane janë goditur nga një valë e dytë e pandemisë, që ka shkaktuar rritje të numrit të të infektuarve, duke detyruar autoritetet të ndërmarrin masa të ashpra të izolimit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat