Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, ka deklaruar se Ukraina ka nevojë për garanci të qëndrueshme dhe afatgjata të sigurisë, pavarësisht marrëdhënieve mes presidentit amerikan Donald Trump dhe presidentit rus Vladimir Putin, përcjell Bota sot.
Në një postim në platformën X, Zelenskyy bëri të ditur se çështja e anëtarësimit të Ukrainës në NATO u diskutua gjatë takimit të Koalicionit të të Vullnetshmëve.
Ai theksoi se aleatët e kuptojnë që garancia më e qartë e sigurisë për Ukrainën është anëtarësimi në NATO, duke shtuar se edhe vetë Aleanca do të forcohej nga përfshirja e Ukrainës.
Megjithatë, Zelenskyy tha se ende nuk është e qartë se si do të sigurohen garanci të ngjashme me nenin 5 të NATO-s.
Sipas tij, Ukraina dhe qytetarët e saj duhet të kenë garanci sigurie jo vetëm për dy vitet e ardhshme, gjatë mandatit të Trumpit, por edhe përtej kësaj periudhe.
“Ne po luftojmë për të mbrojtur vendin tonë jo vetëm për dy vjet. Na duhen garanci sigurie jo për dy vjet, por përgjithmonë”, shkroi Zelenskyy.
Ai iu referua edhe përshëndetjes miqësore mes Trumpit dhe Putinit gjatë takimit të tyre javën e kaluar, duke theksuar se Ukraina nuk mund të mbështetet në idenë se presidenti rus do të frenohet nga ndërmarrja e një agresioni të ri vetëm për dy vjet, për shkak të marrëdhënieve me presidentin amerikan.