Ministri gjerman paralajmëron muaj të tërë të izolimit të pjesshëm

Evropë

Ministri gjerman paralajmëron muaj të tërë të izolimit të pjesshëm

Më: 28 nëntor 2020 Në ora: 12:05
Peter Altmaier

Ministri i Ekonomisë i Gjermanisë, Peter Altmaier, në një intervistë për një gazetë gjermane të shtunën paralajmëroi se masat e izolimit të pjesshëm kundër koronavirusit mund të mbesin në fuqi deri në pranverë.

Ai për gazetën gjermane “Die Welt” tha se nuk është e mundshme që të jepet drita e gjelbër për gjithçka përderisa ka raste të mbi 50 infeksioneve për 100 mijë banorë në pjesë të mëdha të Gjermanisë, shkruan Reuters.

“Kemi tre deri katër muaj të gjatë të dimrit para nesh. Ka mundësi që kufizimet të mbesin në fuqi deri në muajt e parë të vitit 2021”, citohet të ketë thënë ai.

Të mërkurën, kancelarja Angela Merkel u pajtua me 16 kryeministrat rajonalë që t’i zgjasë dhe t’i ashpërsojë masat kufizuese së paku deri më 20 dhjetor.

Gjermania vendosi izolim të pjesshëm në fillim të nëntorit, me ç’rast u mbyllën baret dhe restorantet, por shkollat dhe dyqanet u lejuan të mbesin të hapura. Këto masa e kanë kufizuar rritjen e rasteve, por shifra megjithatë mbetet shqetësuese.

Të shtunën, Gjermania regjistroi mbi 21 mijë infeksione të reja dhe shifra e përgjithshme e rasteve tashmë ka shkuar në mbi 1 milion e 28 mijë persona të prekur.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat