Alo, Beogradi: Pas luftës diplomatike, liderët proserbë të Malit të Zi e thërrasin Vuçiqin

Evropë

Alo, Beogradi: Pas luftës diplomatike, liderët proserbë të Malit të Zi e thërrasin Vuçiqin

Nga: B.S. Më: 30 nëntor 2020 Në ora: 08:00
Aleksandar Vuçiq e Andrija Mandiq

Liderët e Frontit Demokratik (proserb) të Malit të Zi Andrija Mandiq e Milan Knezheviq mbrëmë kanë biseduar me kryetarin Aleksandar Vuçiq për, siç kanë thënë, vendimin e turpshëm të regjimit në shkuarje të Malit të Zi për ta dëbuar ambasadorin malazez.

- Andrija Mandiq dhe Milan Knezheviq përsëritën edhe një herë se ambasadori Vladimir Bozhoviq nuk ka thënë asgjë që çdo serb në Mal të Zi nuk e mendon ose nuk e thotë. Por që regjimi në largim i Milo Gjukanoviqit dëshironte të prishë në mënyrë të pariparueshme dhe të përhershme marrëdhëniet midis dy shteteve tona vëllazërore duke e dëbuar atë - thuhet në kumtesën e Frontit Demokratik.

Udhëheqësit e DF-së, siç thonë, mbrojnë me forcë që qeveria e ardhshme të bëjë një kthesë radikale në politikën e jashtme dhe të ngrejë marrëdhëniet midis Serbisë dhe Malit të Zi në nivelin më të lartë.

- Andrija Mandiq dhe Milan Knezheviq i shprehën mendimin e tyre kryetarit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe udhëheqjes së shtetit serb se Serbia duhet të bëjë gjithçka që është në fuqinë e saj për të ndaluar qëllime të tilla duklane dhe të ngjashme anti-serbe dhe kështu të krijojë parakushte që pas 2 dhjetorit, sa më shpejt të jetë e mundur, marrëdhëniet midis dy shteteve vëllazërore të përmirësohen dhe ngrihen në nivelin më të lartë të mundshëm - thuhet në deklaratën e DF-së.

Mali i Zi të shtunën e ka shpallur ambasadorin e Serbisë në Podgoricë, Vladimir Bozhoviq, person non grata dhe i ka kërkuar që të largohet nga ai vend brenda 72 orësh.

Ministria e punëve të jashtme e Malit të Zi ka njoftuar se Bozhoviqi ka ndërhyrë në punët e brendshme të Malit të Zi për një kohë të gjatë dhe vazhdimisht, dhe se ka dhënë deklarata të papajtueshme me standardet e zakonshme dhe të pranueshme të kryerjes së një funksioni diplomatik.

Edhe pas disa paralajmërimeve se një sjellje e tillë ishte e papranueshme, Bozhoviqi përsëri e nënçmoi Malin e Zi të premten, duke e quajtur Kuvendin e paligjshëm dhe jolegjitim të Podgoricës të vitit 1918 "çlirim" dhe "vullnet të lirë" të popullit malazez, tha ministria malazeze.

Ministria e punëve të jashtme e Serbisë shpejt njoftoi se ka shpallur ambasadorin e Malit të Zi në Beograd Tarzan Millosheviq person non grata dhe i ka kërkuar të largohet nga vendi brenda 72 orësh, mirëpo këtë veprim e ka tërhequr në mënyrë të njëanshme mbrëmë. 

"Serbia, në mënyrë të njëanshme, do të tërheqë sonte vendimin për dëbimin e ambasadorit malazez", ka thënë mbrëm kryeministrja serbe vendi, Ana Bërnabiq, pas takimit me kryetarin dhe ministrin e punëve të jashtme.

"Kryetari Vuçiq më ka ftuar mua dhe ministrin Selakoviq për të diskutuar vendimin e qeverisë. Ai e kupton dhe e mbështet këtë vendim, sepse është në përputhje me Konventën e Vjenës dhe protokollet. Ai na tha që konventat janë të rëndësishme, por që jeta është gjithashtu e jona. miqësia me Malin e Zi është më e rëndësishme ", ka thënë Bërnabiq.

Mandatori për formimin e Qeverisë së Malit të Zi, Zdravko Krivokapiq, ka thënë pas këtyre vendimeve se pendohet për vendimet e dy vendeve për dëbimin e ambasadorëve, duke vlerësuar se lëvizje të tilla nuk janë në frymën e rrugës evropiane dhe bashkëpunimit të mirë rajonal të vendeve mike.

Ai deklaroi se regjimi malazez në largim nuk ka ndaluar në ditët e fundit nga polarizimi i shoqërisë dhe thellimi i ndarjeve dhe se qeveria e re do të punojë në përmirësimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Me rastin e mosmarrëveshjes diplomatike midis Serbisë dhe Malit të Zi dje ka reaguar edhe Komisioni Evropian (KE), duke vënë në dukje se marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë janë të rëndësishme në rrugën e anëtarësimit në BE.

Zëdhënësja e KE-së Ana Pisonero u ka thënë gazetarëve në Bruksel se "respektimi i marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë është themeli i procesit të zgjerimit dhe asociim-stabilizimit".

"Mali i Zi dhe Serbia po bëjnë përparim të fortë për anëtarësim në Bashkimin Evropian," ka shtuar Pisonero.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat