Britania, gati vaksinimin kundër COVID-19. Mbretëresha Elizabetë jep shembullin e para

Evropë

Britania, gati vaksinimin kundër COVID-19. Mbretëresha Elizabetë jep shembullin e para

Më: 8 dhjetor 2020 Në ora: 06:53
Mbretëresha Elizabetë

Vaksina kundër koronavirusit, prodhuar nga kompania farmaceutike amerikane, Pfizer, dhe ajo gjermane, BioNTech, ka arritur në Britaninë e Madhe dhe pritet të nisë programin e imunizimit më 8 dhjetor.

Rreth 800 mijë mijë doza të vaksinës, të ruajtura në kontejnerë shumë të ftohtë, kanë arritur tashmë në vend dhe do të administrohen në rreth 50 qendra spitalore. Të parët që do të vaksinohen janë punonjësit shëndetësorë me rrezik të lartë dhe pacientët e moshës 80 vjeç e lart.

Të parët që do ta bëjnë vaksinën, për të hedhur poshtë çdo teori konspiracioni, janë Mbretëresha Elizabetë dhe princi Filip. Lajmin e pohuan burime nga Pallati Mbretëror. Monarkja dhe i shoqi, 94 dhe 99 vjeç, bëjnë pjesë në grupmoshën më të rrezikuar.

“Kjo është mënyra më e mirë për të rrëzuar teoritë konspirative”,- thanë burimet pranë Pallatit. Edhe princi Charles dhe William mund të luajnë një rol shumë të rëndësishëm në fushatën e vaksinimit.

“Anglia po përgatitet për hapin më të madh të vaksinimit në historinë e saj dhe Mbretëresha Elizabetë është natyrisht në radhën e parë. Sovrania 94-vjeçare dhe princi Filip kanë deklaruar se do të respektojnë radhën dhe do të bëjnë vaksinën”,- shkruan Mail Sunday.

Mendohet se vendimi i mbretëreshës është marrë duke zbatuar të gjitha këshillat e mjekëve dhe pritet të japë një kontribut shumë të madh në luftën kundër dezinformimit, sidomos teorive konspirative të shpërndara nga rrjete të ndryshme online.

Britania miratoi e para përdorimin e vaksinës kundër koronavirusit të prodhuar nga kompania farmaceutike Pfizer, duke siguruar 40 milionë doza, të cilat mund të shërbejnë për 20 milionë njerëz. Secili duhet të marrë nga dy doza, me një diferencë kohore prej tri javësh.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat