Britania përballet me izolim, këto shtete i kanë mbyllur kufijtë për banorët e saj

Evropë

Britania përballet me izolim, këto shtete i kanë mbyllur kufijtë për banorët e saj

Më: 22 dhjetor 2020 Në ora: 09:09
Boris Johnson

Disa shtete nga pjesë të ndryshme të botës të hënën morën vendim që t’i mbyllin kufijtë për britanikët për shkak të frikës nga një version i ri, shumë ngjitës, i koronavirusit që është shfaqur në Britani të Madhe.

Largimi përfundimtar i Mbretërisë së Bashkuar nga Bashkimi Evropian nga janari pritet të shkaktojë edhe mungesë të mallrave ushqimore, shkruan Reuters.

India, Pakistani, Polonia, Zvicra, Suedia, Rusia, Jordania dhe Hong Kongu ua pezulluan britanikëve të drejtën e udhëtimit pasi kryeministri Boris Johnson tha se një version me mutacion i koronavirusit është identifikuar në vend. Arabia Saudite, Kuvajti dhe Omani i mbyllën kufijtë plotësisht.

Disa shtete tjera i mbyllën kufijtë për britanikët gjatë fundjavës, përfshirë Francën, Gjermaninë, Italinë, Holandën, Austrinë, Irlandën, Belgjikën dhe Kanadanë, ndonëse ekspertët thanë se versioni i ri i koronavirusit tashmë mund të jetë duke qarkulluar edhe në shtetet me metoda më pak të avancuara të hulumtimit se Britania e Madhe.

Franca e mbylli kufirin për njerëz dhe kamionë nga Britania, duke e lënë Mbretërinë e Bashkuar pa njërën prej arterieve më të rëndësishme tregtare me Evropën.

Zbulimi i versionit të ri të koronavirusit pak kohë para përhapjes së gjerë të vaksinave shkaktoi panik nga pandemia prej së cilës kanë vdekur rreth 1.7 milion njerëz në botë, mbi 67.000 vetëm në Britani.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat