Franca vendos shtetrrethim 12 orësh, testim për ata që hyjnë nga jashtë BE

Evropë

Franca vendos shtetrrethim 12 orësh, testim për ata që hyjnë nga jashtë BE

Më: 14 janar 2021 Në ora: 21:33
Konferenca për media

Franca do të zgjasë shtetrrethimin nga ora 6:00 e pasdites deri në 6:00 të mëngjesit në të gjithë vendin, ka njoftuar kryeministri Jean Castex.

Vendimi do të hyjë në fuqi të shtunën dhe do të zgjasë për të paktën 15 ditë, shtoi ai.

Deri më tani, ndalimi për të dalë dhe lëvizur ishte në fuqi nga ora 18:00 vetëm në 25 departamente, të gjitha në lindje dhe jug-lindje të vendit, ndërsa ky shtetrrethim 12-orësh tani është shtrirë në të gjithë vendin.

Shtetrrethimi natën duke filluar nga ora 8:00 e pasdites deri në 6:00 të mëngjesit u prezantua për herë të parë në 15 Dhjetor.

Castex tha të enjten se ndërsa rifillimi i epidemisë ishte përqendruar në fund të dhjetorit në disa departamente, qarkullimi viral tani shqetëson të gjithë vendin.

Ai shtoi se shkalla mesatare e incidencës në të gjithë vendin është tani mbi 50 raste për 100 mijë banorë.

Çdo vend publik që pranon njerëz do të duhet të mbyllet në orën 6:00 të pasdites, tha Castex, dhe njerëzit që janë jashtë shtëpisë së tyre jashtë kësaj fashe orare, do të duhet të justifikojnë lëvizjen e tyre.

Sipas Castex, situata aktuale epidemiologjike nuk justifikon një bllokim të ri, por theksoi se një bllokim i tretë kombëtar mund të vendoset nëse vërehet një përshkallëzim i fortë epidemie.

“Situata jonë është shqetësuese edhe nëse është stabilizuar përgjithësisht dhe nën kontroll krahasuar me atë që shohim tek fqinjët tanë, por e brishtë sepse virusi ende qarkullon aktivisht në territorin tonë”- shtoi ai.

Franca regjistron aktualisht mesatarisht 16,000 infeksione të reja çdo ditë. Presioni mbi spitalet “mbetet i qëndrueshëm, por është në një nivel të lartë”, theksoi Castex.

Të mërkurën ishin 24,769 njerëz të shtruar në spital me COVID-19 në të gjithë Francën, përfshirë 2,711 në kujdesin intensiv.

Për të parandaluar përhapjen e dy varianteve të identifikuara në Mbretërinë e Bashkuar dhe Afrikën e Jugut, të cilat janë më të transmetueshme, qeveria vendosi të forcojë kushtet e hyrjes në territorin kombëtar.

Çdokush nga jashtë Bashkimit Evropian do të duhet të tregojë një test negativ përpara se të udhëtojë dhe do të duhet t’i nënshtrohet një karantine shtatë ditore, në fund të së cilës do të duhet të bëjë një test të dytë.

Për udhëtarët nga vendet e tjera anëtare të BE-së, Castex tha se qeveria po punon për një kornizë të koordinuar që do të diskutohet në samitin e Këshillit Evropian në 21 Janar.

Për më tepër, qeveria tha se një milion fëmijë dhe mësues do të testohen çdo muaj për të parandaluar përhapjen e varianteve pasi fëmijët janë gjetur të jenë më të prekshëm ndaj tyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat