Covid-19/ Studimi britanik: 1/3 e pacientëve kthehen në spital brenda 140 ditësh

Evropë

Covid-19/ Studimi britanik: 1/3 e pacientëve kthehen në spital brenda 140 ditësh

Më: 19 janar 2021 Në ora: 23:00
Ilustrim

Pothuajse një e treta e pacientëve me COVID-19 që morën trajtim spitalor u rikthyen atje brenda 140 ditëve, sugjeron një studim i kryer në Britani.

Studiuesit morën në shqyrtim 47 780 raste të pacientëve që kishin qenë në spital me koronavirus në spitalet briutanike dhe gjetën prova që sugjerojnë se ata që u rikuperuan nga virusi kishin probleme të frymëmarrjes dhe kardiovaskulare, si dhe diabetin.

Brenda një kohe mesatare prej 140 ditësh, 29.4% e pacientëve që kishin dalë nga spitali të shëruar nga Covid-19 u rikthyen atje dhe një në dhjetë (12.3%) vdiqën.

Rikthimi në spital rezultoi në norma më të larta midis njerëzve të moshuar dhe atyre me prejardhje të zezë, aziatike dhe të pakicave etnike.

Studimi – nga Zyra për Statistikat Kombëtare, University College London dhe Universiteti i Leicesterit – nuk është rishikuar ende nga shkencëtarë të tjerë.

Ata që u përfshinë në studim ishin në spital midis janarit dhe gushtit të vitit të kaluar dhe kishin diagnozë kryesore COVID-19. Pacientët kishin një moshë mesatare 65 vjeç. Grupi i studimit u krahasua me të njëjtin numër njerëzish nga demografi të ngjashme dhe me profile të ngjashme mjekësore për të njëjtën periudhë.

Gjatë periudhës së studimit, ripranimet në spital ishin 3.5 herë më të larta në mesin e grupit të ish-pacientëve me koronavirus ndërsa vdekjet ishin 7.7 herë më të larta.

Problemet e frymëmarrjes u diagnostikuan në 14 140 njerëz pasi lanë spitalin, 6 085 prej tyre nuk kishin vuajtur më parë.

Krahasuar me popullatën e përgjithshme, njerëzit që vuajnë nga ndërlikime të rënda nga COVID-19 ka më shumë të ngjarë të jenë mbi 50 vjeç, meshkuj, që jetojnë në zona të varfra, kanë mbipeshë dhe janë ish-duhanpirës. Ata gjithashtu kanë më shumë gjasa të kenë problem shëndetësore themelore, të tilla si hipertensioni, sëmundjet e frymëmarrjes dhe diabeti.

Ka pasur disa disa studime që sugjerojnë që COVID-19 mund të shkaktojë dëmtime afatgjata në shëndetin e njerëzve, kryesisht probleme me mushkëritë, zemrën dhe trurin e tyre. Një studim nga Universiteti i Edinburgut me më shumë se 1 200 pacientë zbuloi se 55% e të gjithë atyre që vuanin shfaqën anomali të zemrës.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat