BE-ja bën thirrje për një fillim të ri të raporteve me SHBA-në

Evropë

BE-ja bën thirrje për një fillim të ri të raporteve me SHBA-në

Më: 20 janar 2021 Në ora: 14:59
Foto ilustrim

Bashkimi Evropian bëri thirrje për një fillim të ri të raporteve me SHBA-në, në ditën kur presidenti i zgjedhur, Joe Biden, bën betimin.

Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, foli për nevojën e një “pakti të ri" në marrëdhëniet transatlantike dhe e ftoi Bidenin për një samit SHBA-BE, që do të mbahej në Bruksel.

“Sot është mundësia e rinovimit të raporteve transatlantike, të cilat kanë pësuar gjatë katër vjetëve”, tha Michel, duke shtuar se SHBA-ja dhe BE-ja duhet të punojnë së bashku për paqen, sigurinë, prosperitetin, lirinë, të drejtat e njeriut dhe barazinë gjinore.

Michel i bëri komentet në një seancë plenare të Parlamentit Evropian.

Ai nuk e shtjelloi më shumë idenë e një pakti të ri SHBA-BE, por tha se përmes tij duhen rritur marrëdhëniet shumëpalëshe, të trajtohet pandemia COVID-19 dhe ndryshimi i klimës, si dhe të adresohen çështjet ekonomike dhe të sigurisë.

Edhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, foli me tone të ngjashme.

“Ky agim i ri në Amerikë është momenti që kemi pritur”, tha von der Leyen.

BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara janë fuqitë kryesore tregtare në botë dhe kanë lidhje të ngushta kulturore, historike, biznesi dhe mbrojtjeje, por presidenti në largim i SHBA-së, Donald Trump, ka bërë përpjekje ta shmangë BE-në.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat