​BE nuk pritet të vendosë sanksione ndaj Rusisë për shkak të Navalny

Evropë

​BE nuk pritet të vendosë sanksione ndaj Rusisë për shkak të Navalny

Më: 25 janar 2021 Në ora: 23:57
Alexei Navalny

Bashkimi Evropian nuk do të vendosë sanksione ndaj Rusisë për shkak të arrestimit të liderit opozitar Alexei Navalny, dhe as nuk do të ketë hakmarrje diplomatike për shkak të kësaj.

Në takimin e ministrave të jashtëm të BE disa vende patën mendime se sanksionet e reja duhet të vendosen ndaj Moskës, por shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, tha se "asnjë propozim konkret nuk është bërë", raporton Politico me seli në Bruksel.

"Këshilli është, sigurisht, i gatshëm të reagojë dhe të marrë vendime të përshtatshme nëse rrethanat e kërkojnë atë," tha Borrell, pa specifikuar se cilat rrethana do të ishin të nevojshme për reagimin e BE-së.

Sipas tij, asnjë vendim nuk mund të miratohet sot, sepse nuk kishte asnjë propozim se si të reagojmë ndaj ngjarjeve të fundit në Rusi.

Navalny u arrestua javën e kaluar pasi u kthye nga Gjermania në Moskë. Arrestimi i tij nxiti protesta në disa qytete ruse gjatë fundjavës, kur më shumë se 3.000 njerëz u arrestuan.

"Këshilli i konsideron arrestimet masive të demonstruesve dhe brutalitetin e policisë si plotësisht të papranueshme dhe i bën thirrje Rusisë të lirojë Navalny dhe të gjithë të arrestuarit," tha Borrell pas një takimi të ministrave të jashtëm të BE-së sot në Bruksel.

Ai shtoi se nuk e kishte ndryshuar planin e tij për të vizituar Moskën në fillim të shkurtit me ftesë të ministrit të Jashtëm rus Sergei Lavrov.

"Unë e kam informuar Këshillin se kam ndërmend të vizitoj Moskën. Do të jetë një mundësi e mirë për të diskutuar të gjitha temat e rëndësishme me kolegun tim rus dhe për të përcjellë mesazhe të qarta në lidhje me situatën aktuale dhe problemet me të drejtat dhe liritë e njeriut, dhe ne sigurisht do të diskutojmë marrëdhëniet e ndërsjella," tha Borrell.

Ai shtoi se vizita do ta ndihmojë të përgatitet shumë më mirë për samitin e marsit të krerëve të shteteve dhe qeverive të BE-së, kur marrëdhëniet me Rusinë do të jenë në rendin e ditës.

Megjithëse disa diplomatë evropianë besojnë se sanksionet duhet të vendosen ndaj Rusisë nëse ajo nuk e liron Navalny kur paraburgimi i tij njëmujor skadon më 15 shkurt, por pas takimit të sotëm, është e qartë se kjo nuk do të ndodhë në një të ardhme të parashikueshme, thotë Politico.

I pyetur nëse do të kërkonte të takohej me Navalny gjatë vizitës së tij në Rusi, Borrell nuk dha një përgjigje specifike.

"Do të isha shumë i lumtur ta shihja Navalny. Unë do të përpiqem të jem në kontakt me përfaqësuesit e shoqërisë civile në Rusi, por duhet të kemi parasysh se do të jetë një vizitë në qeverinë ruse," tha ai.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat