Mediat polake në protestë, pezullojnë transmetimet në kundërshtim të taksës mbi reklamimin 

Evropë

Mediat polake në protestë, pezullojnë transmetimet në kundërshtim të taksës mbi reklamimin 

Më: 10 shkurt 2021 Në ora: 23:14
Prezantimi

Disa stacione televizive, radio dhe portale në Poloni pezulluan transmetimet këtë të mërkurë, në shenjë proteste ndaj një takse të propozuar për reklamimin në media, që sipas tyre kërcënon pavarësinë dhe shumëllojshmërinë e këndvështrimeve të kësaj industrie.

Në vend të programeve të tyre të zakonshme, mediat transmetuan slogane të shkruara ose të folura si "Ky ishte dikur programi juaj i preferuar" dhe "Media pa alternativë".

Por në kontrast me këto slogane të mediave private, transmetuesi publik TVP Info, që nuk ndërpreu transmetimin, publikoi shkrime me mesazhin "Kompanitë mediatike nuk duan të ndajnë përfitimet e tyre disa milionëshe me polakët" apo "Firmat mediatike po e trajtojnë Poloninë si koloni".

Heshtja 24-orëshe vjen një ditë pasi shumë organizata mediatike i dërguan një letër të hapur autoriteteve, për të kundërshtuar taksën e planifikuar, që sipas qeverisë do të ndihmojë në mbledhjen e fondeve për kujdesin shëndetësor dhe kulturën, të goditura rëndë nga pandemia.

Sipas Shoqatës së Gazetave Lokale në Poloni, shtypi vendas përjetoi një rënie nga 30-50% të fitimeve nga reklamat dhe një rënie 30% në shitje që prej fillimit të pandemisë.

Por qeveria polake prej kohësh argumenton se grupet e huaja mediatike kanë shumë pushtet në peizazhin mediatik të vendit, duke shtrembëruar debatin publik.

Në një konferencë për shtyp, kryeministri Mateusz Morawiecki deklaroi se taksa do të jetë në dobi të popullatës dhe se vende të tjera europiane aplikojnë tarifa të ngjashme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat