Bjellorusi, policia bastis shtëpitë e gazetarëve dhe aktivistëve

Evropë

Bjellorusi, policia bastis shtëpitë e gazetarëve dhe aktivistëve

Më: 16 shkurt 2021 Në ora: 20:51
Kreu i Shoqatës së Gazetarëve Bjellorusë (BAJ) Andrei Bastunets (djathtas) duke u larguar nga zyrat e shoqatës i shoqëruar nga policët (Minsk, Bjellorusi, 16 shkurt 2021)

 Forcat bjelloruse të sigurisë bastisën të martën shtëpitë e gazetarëve dhe aktivistëve të të drejtave të njeriut në disa qytete në mbarë vendin, duke intensifikuar shtypjen e protestave masive kundër Presidentit të hershëm Alexander Lukashenko.

Policia kontrolloi shtëpitë e 25 anëtarëve të Shoqatës së pavarur Bjelloruse të Gazetarëve (BAJ) dhe organizatës së të drejtave të njeriut Viasna-96, sipas njoftimeve të kësaj të fundit.

Autoritetet në një deklaratë lidhën bastisjet me një hetim të tyre që ata thanë se po zhvillojnë ndaj financimit të protestave nga "organizata që pozicionohen si mbrojtës të të drejtave të njeriut".

Më shumë se 33'000 njerëz janë arrestuar mes një represioni të dhunshëm pas zgjedhjeve të mbajtura në muajin gusht që kundërshtarët e Lukashenkos thonë se ishin manipuluar në mënyrë të qartë për t'i dhënë presidentit një mandat tjetër në detyrë, i gjashti që nga viti 1994. Ai mohon të ketë patur manipulime elektorale.

Masat shtypëse kanë nxitur sanksione të reja perëndimore, por Lukashenko ka refuzuar të japë dorëheqjen, i mbështetur diplomatikisht dhe financiarisht nga aleati tradicional Rusia, e cila e sheh Bjellorusinë si një brez mbrojtës përkundër Bashkimit Evropian dhe NATO-s.

"Ata po kërkojnë 'kriminelë' mes atyre që ndihmojnë të burgosurit politikë dhe shkruajnë për luftën e bjellorusëve për liri", shkruajti për bastisjet udhëheqësja e opozitës në mërgim Sviatlana Tsikhanouskaya.

"Ata kërkojnë 'kriminelë' në shtëpitë e prindërve të tyre. Por në kërkim të kriminelëve, ata duhet të shikojnë në zyrat e policisë, në GUBOPiK (drejtori në Ministrinë e Brendshme) dhe të gjithë ata që janë përgjegjës për represionin".

Bastisjet erdhën në të njëjtën ditë me gjyqin në vazhdim ndaj dy gazetarëve nga kanali televiziv me qendër në Poloni - kanali Belsat në Minsk, të cilët përballen me tre vjet burg për raportimin drejtpërdrejt nga protestat.

Lukashenko organizoi një "Asamble Popullore" dy-ditore javën e kaluar për të diskutuar reformat politike, të cilat kundërshtarët e tij i hodhën poshtë si një mashtrim për ta mbajtur atë në pushtet./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat