Turqia dënon përpjekjet e parlamentit holandez për të quajtur gjenocid masakrën e vitit 1915 ndaj armenëve

Evropë

Turqia dënon përpjekjet e parlamentit holandez për të quajtur gjenocid masakrën e vitit 1915 ndaj armenëve

Më: 26 shkurt 2021 Në ora: 18:31
Prej vitit 2004 partia kristian-demokrate “Unioni Kristian” ka këmbëngulur që qeveria holandeze ta njohë masakrën e armenëve si gjenocid

Turqia e konsideroi si populist dhe të pavlerë rezolutën e së enjtes ndërmarrë nga parlamenti holandez ndaj qeverisë për ta konsideruar si gjenocid masakrën e qindra mijëra armenëve gjatë shekullit të shkuar.

“Vendimi i marrë nga dhoma e përfaqësuesve holandezë... nuk është gjë tjetër veçse një përpjekje për të ri-shkruar historinë me motive politike,” – u shpreh në një deklaratë zëdhënësi i ministrisë së Jashtme turke, Hami Aksoy.

“Këshillat nuk janë salla për të gjykuar dhe shkruar historinë,” – shtoi ai më tej.

Mbi 1 milionë armenë u dëbuan nga shtëpitë e tyre dhe u vranë nga perandoria otomane gjatë viteve 1915-1917 gjatë Luftës së Parë Botërore. Turqia e ka mohuar kategorikisht etiketimin si gjenocid.

“Ftojmë ligjvënësit holandezë të analizojnë konventën e vitit 1948 të Kombeve të Bashkuara për Dënimin e Krimeve të Gjenocidit dhe të kuptojnë dhe mbështetin më mirë çështjet e historisë. Propozimi ynë për një komision të përbashkët të historisë me Armeninë nuk ka marrë asnjë përgjigje,” – vijoi në deklaratën për shtyp ministria e Jashtme turke.

Prej vitit 2004 partia kristian-demokrate “Unioni Kristian” ka këmbëngulur që qeveria holandeze ta njohë masakrën e armenëve si gjenocid.

“Qeveria vijon të përdorë fraza si ‘çështja e gjenocidit armen’, apo ‘ngjarjet e tmerrshme’ për të përshkruar historinë e Armenisë dhe duke bërë kështu i shmanget së vërtetës, që ishte një gjenocid i planifikuar,” – tha Joël Voordewind nga Unioni.

Marrëdhëniet mes Holandës dhe Turqisë u tensionuan pas dëbimit të dy ministrave turk nga Haga në vitin 2017. Ndërkohë javën e shkuar prokurorët turq nisën hetime për politikanin e së djathtës Geert Wilders për disa postime në Twitter kundër Presidentit Recep Tayyip Erdogan.

Në vitin 2018 ligjvënës holandezë mbajtën në Jerevan të Armenisë një ceremoni përkujtimore ndaj vrasjeve masive.

Dy vite më përpara ligjvënës gjermanë votuan gjithashtu “pro” etiketimit si gjenocid të masakrës ndaj Armenëve, gjë që gjithashtu tensionoi marrëdhëniet me Turqinë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat