Izolimi në Evropë, mbushen plazhet në Spanjë e Francë, në Itali vijon vaksinimi

Evropë

Izolimi në Evropë, mbushen plazhet në Spanjë e Francë, në Itali vijon vaksinimi

Më: 4 prill 2021 Në ora: 09:02
Në Calafei, dhjetëra të rinj vallëzuan dhe pinë pa mbajtur maska dhe pa ruajtur distancimin social

Disa mijëra njerëz mbushën të shtunën plazhet Barceloneta dhe Calafei në Barcelonë, për të shijuar diellin dhe detin pas një izolimi të gjatë për shkak të COVID-19.

Në Calafei, dhjetëra të rinj vallëzuan dhe pinë pa mbajtur maska dhe pa ruajtur distancimin social.

Ndërkohë, në ishujt Kanarie nuk u regjistrua turma e zakonshme e turistëve të huaj që gëzojnë rrezet e diellit.

Edhe pse ishujt janë të hapur për evropianët që duan t’i vizitojnë, të cilët mjafton të jenë të pajisur me një test negativ, shumë vende  të tjera kanë vendosur kufizimet e tyre dhe kanë udhëzuar qytetarët të shmangin lëvizjet.

Edhe qytetarët francezë iu drejtuan plazheve të vendit pasi presidenti Macron tha se udhëtimet do të toleroheshin gjatë fundjavës, pavarësisht kufizimeve që hynë në fuqi mbrëmjen e së shtunës.

Përpara shtetrrethimit, francezët morën makinat dhe udhëtuan për në bregdet për të shijuar ajrin e freskët.

Në Itali, famullitë në Sicili lejuan që kishat e tyre të përdoreshin si qendra vaksinimi ditën e shtunë.

Peshkopët e ishullit ftuan priftërinjtë të hapen për një ditë gjatë pushimeve të Pashkës, për të ndihmuar në fushatën e injektimeve.

Një numër i madh qytetarësh pritej të merrnin dozën e “AstraZeneca”, por më pak se 6 mijë janë regjistruar në tërë ishullin.

Në Stamboll autoritetet rivendosën një izolim të pjesshëm pasi rastet ditore me COVID në mbarë Turqinë prekën një rekord të ri, pas atij të regjistruar më 1 mars kur u raportuan mbi 40 mijë infektime të reja.

Rritja e shifrave detyroi presidentin Erdogan të njoftonte më herët gjatë javës një ashpërsim të kufizimeve që ishin lehtësuar në mars.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat