Presidenti turk Erdogan kritikon ashpër kryeministrin italin Mario Draghi

Evropë

Presidenti turk Erdogan kritikon ashpër kryeministrin italin Mario Draghi

Më: 14 prill 2021 Në ora: 20:31
Tajip Erdogan

Presidenti Tajip Erdogan akuzoi të mërkurën kryeministrin italian Mario Draghi për sjellje "moskokëçarëse dhe pa respekt" pas komenteve ku ai e quajti udhëheqësin turk një "diktator".

Javën e kaluar, zoti Draghi tha se Presidenti Erdogan e kishte poshtëruar Presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen gjatë vizitës së saj në Ankara dhe se është e rëndësishme të tregohesh i hapur me "diktatorët". Fjalët e tij u dënuan nga Ankaraja.

Në komentin e tij të parë publik mbi këtë çështje, Presidenti Erdogan tha në Ankara se Kryeministri Draghi kishte dëmtuar marrëdhëniet midis Turqisë dhe Italisë dhe sugjeroi që kryeministri italian nuk kishte legjitimitet demokratik për të bërë një kritikë të tillë.

Image
Mario Draghi

"Deklarata e bërë nga kryeministri italian është mospërmbajtje totale dhe mosrespekt," tha zoti Erdogan. "Në një kohë kur shpresonim që lidhjet Turqi-Itali të mund të arrinin një nivel të mirë, duke bërë këtë deklaratë, ky njeri me emrin Draghi fatkeqësisht ka minuar marrëdhëniet midis nesh," tha ai.

"Ju arritët atje duke u emëruar, nuk u zgjodhët. Në mënyrë që të bëni vërejtje të tilla për Tajip Erdoganin, duhet së pari të jeni i vetëdijshëm për historinë tuaj. Por, ne pamë që nuk jeni," shtoi zoti Erdogan, në një referencë të dukshme për diktatorin fashist Benito Mussolini.

Draghi, ish president i Bankës Qendrore Evropiane, nuk erdhi në pushtet me zgjedhje por u emërua nga presidenti i Italisë në shkurt për të kryesuar një qeveri të re pasi koalicioni i mëparshëm u shemb mes grindjeve të partive.

Zonja Von der Leyen dhe Presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel u takuan me zotin Erdogan në Ankara javën e kaluar dhe përcollën shqetësimet e BE në lidhje me çështjen e të drejtave të njeriut në Turqi. Në takim, Von der Leyen mbeti e habitur kur të dy burrat u ulën në të dy karriget e vetme të vëna në sallë, duke e ulur atë në një divan aty pranë.

Image

Lidhjet midis aleatëve të NATO-s, Turqisë dhe Italisë, kanë qenë kryesisht pozitive në vitet e fundit dhe dy vendet kanë zhvilluar bisedime mbi konfliktin në Libi, tensionet në Mesdheun lindor dhe bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes.

Por marrëdhëniet më të gjera midis Ankarasë dhe BE-së kanë qenë prej kohësh të tensionuara, veçanërisht pas grushtit të dështuar të shtetit në Turqi në vitin 2016, i cili u bë shkak për arrestime masive të mijëra njerëzve./VOA

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat