Republika Çeke dhe Rusia "do të kenë numër të njëjtë të stafit nëpër ambasada"

Evropë

Republika Çeke dhe Rusia "do të kenë numër të njëjtë të stafit nëpër ambasada"

Më: 23 prill 2021 Në ora: 12:07
Ministri i Jashtëm çek Jakub Kulhanek

Ministri i Jashtëm çek Jakub Kulhanek ka thënë të premten se Republika Çeke dhe Rusia do të kenë numër të njëjtë diplomatësh nëpër ambasadat e tyre, ndërkohë që rriten tensionet për rolin e dyshuar të Rusisë në shpërthimin vdekjeprurës në një depo armësh më 2014, në tokën çeke.

“Ambasadat e Republikës Çeke dhe Rusisë duhet të kenë nga shtatë diplomatë dhe 25 anëtarë të stafit administrativ dhe teknik”, ka thënë Kulhanek, në një intervistë për të përditshmen çeke Blesk.

Sqarimi i tij ka ardhur një ditë pasi ai ka thënë se Rusisë nuk do t’i mundësohet të ketë më shumë diplomatë në Pragë sesa ka çekë në ambasadën në Moskë.

Mospajtimet kanë nisur më 17 prill, kur Praga ka dëbuar 18 pjesëtarë të stafit rus, të cilët i ka identifikuar si spiunë.

Çekët kanë thënë se dy zyrtarë të inteligjencës ruse, të akuzuar për helmim të një agjenti në Britani më 2018, kanë qenë po ashtu mbrapa shpërthimit në një depo municioni më 2014, që ka lënë të vdekur dy persona.

Rusia ka hedhur poshtë akuzat çeke më 18 prill, duke dëbuar 20 pjesëtarë çekë të ambasadës, në shenjë hakmarrjeje.

Më 22 prill, Moska ka injoruar një ultimatum të vënë nga Çekia, për t’iu mundësuar dipomatëve kthimin në punë.

Moska e ka konsideruar këtë ultimatum, “të papranueshëm”.

“Ne do ta zvogëlojmë numrin e diplomatëve në ambasadën ruse në Pragë, për të barazuar numrin me stafin tonë në Moskë”, ka thënë Kulhanek më 22 prill, pas kalimit të afatit të fundit, duke thënë se Rusia ka kohë deri në fund të majit për të kthyer në Rusi stafin e vet.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat