Parlamenti Evropian përkrah Çekinë, i bën thirrje BE-së të dëbojë diplomatët rusë

Evropë

Parlamenti Evropian përkrah Çekinë, i bën thirrje BE-së të dëbojë diplomatët rusë

Më: 1 maj 2021 Në ora: 11:54
Parlamenti Evropian

Parlamenti Evropian miratoi një rezolutë duke u bërë thirrje vendeve të BE-së për të koordinuar dëbimin e diplomatëve rusë si reagim ndaj shpërthimit të depozitës së municioneve në Vrbetice të Republikës Çeke në vitin 2014, shkruajnë mediat e huaja.

Sipas shërbimeve sekrete çeke, agjentët rusë të shërbimit sekret ushtarak rus, GRU, ishin të përfshirë në incidentin që mori dy jetë.

Rezoluta, e miratuar nga një shumicë prej 569 nga 682 eurodeputetë nga të gjitha grupet kryesore në parlament, dënoi gjithashtu kërcënimet ruse që po e sulmojnë Republikën Çeke në mosmarrëveshjet aktuale diplomatike.

Eurodeputetët, gjithashtu bënë thirrje për sanksione më të ashpra mbi sjelljen agresive të Moskës, duke përfshirë manovra pranë kufirit të Ukrainës.

Rezoluta bën thirrje që BE-ja të zvogëlojë varësinë nga energjia ruse, të ndalojë ndërtimin e tubacionit të gazit Nord Stream 2 dhe të mos lejojë kompaninë ruse, Rosatom, të ndërtojë termocentrale bërthamore në BE. Qeveria Çeke tashmë ka vendosur që Rosatom të mos ftohet të marrë pjesë në tenderin e planifikuar për reaktorët e rinj të uzinës bërthamore, Dukovany.

Sllovakia, Rumania dhe vendet baltike kanë dëbuar tashmë diplomatët rusë në një lëvizje solidariteti me Çekinë. Bullgaria ka filluar një mosmarrëveshje të ashpër me Rusinë, pjesërisht për shkak të hetimeve të shpërthimeve të ngjashme në tokën bullgare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat