Ishulli i vogël i Proçidas shpallet kryeqytet i kulturës italiane

Evropë

Ishulli i vogël i Proçidas shpallet kryeqytet i kulturës italiane

Më: 15 maj 2021 Në ora: 19:53
Foto ilustrim

Ishulli i vogël i Proçidas në gjirin e Napolit është shpallur Kryeqytet i Kulturës Italiane për vitin 2022. Banorët thonë se janë të kënaqur pasi shpesh nuk përfillen nga turistët që pëlqejnë ishuj më të famshëm si Kapri dhe Iskia.

Shtëpitë me shumë ngjyra të portit të Korriçelas të shekullit të 17-të, mund të shihen nga maja e kodrës në ishullin e Proçidas. Ishulli i vogël sapo është shpallur Kryeqyteti i Kulturës së Italisë për vitin 2022.

Pavarësisht se është shfaqur në filma të njohur si "Il Postino" dhe "The Talented Mr. Ripley", vendasit thonë se turistët shpesh e anashkalojnë Proçidan në favor të ishujve të tjerë më të mëdhenj, si Kapri dhe Iskia.

"Është një kënaqësi e madhe për ne, që ishulli ynë i vogël do të bëhet me famë botërore. Është një lajm që ka gëzuar shumë të gjithë banorët e Proçidas", thotë banorja e ishullit, Gemma Ventrice.

Banorët janë të kënaqur që profili i ishullit të tyre është ngritur dhe shpresojnë që, nëse lehtësohen masat kundër pandemisë, ata së shpejti do të jenë në gjendje të mirëpresin vizitorë nga e gjithë bota.

Një numër i madh anijesh arrijnë në portin kryesor të Napolit, që ndodhet vetëm dyzet minuta larg. Plazhet dhe fshatrat e veçantë të peshkimit janë një tërheqje për ata që përpiqen t'i shpëtojnë jetës dinamike dhe të nxituar të qyteteve të mëdha të Italisë.

"Shpresojmë të bëhet më mirë, që njerëzit e ishullit të Proçidas të bëjnë gjëra të mëdha. Për të gjithë ne, do të ketë ndoshta më shumë punësim, restorantet do të kenë më shumë punë, gjithçka do të jetë më mirë sepse ishulli duhet të rimëkëmbet", thotë peshkatari Francesco Trapani.

Vetëm disa metra larg, prodhuesi i anijeve Salvatore di Candia po riparon një varkë prej druri me djalin e tij Rosario.

Ai është një nga të paktët që nuk e sheh si diçka shumë mbresëlënëse marrjen e titullit, duke thënë se ajo që ai e konsideron si kulturë të vërtetë të ishullit, u neglizhua kur u mor ky vendim.

"Për ne, për mua personalisht, kjo është kulturë, varka që po riparoj ose gjëra të tjera si peshkimi, peshkatarët. Por ne nuk u pyetëm për këtë nga autoritetet", thotë zoti di Candia.

Proçida ndodhet në rajonin e Kampanjës, i cili kohët e fundit u shpall "zonë e verdhë", duke lejuar restorantet të shërbejnë ushqime jashtë dhe ardhjen e turistëve nga rajone të tjera.

Aktiviteti ka rifilluar në portin kryesor dhe dyqanet kanë filluar të rihapen.

Raimondo Ambrosino, kryetari i Bashkisë së Proçidas, është i bindur se ishulli ka shumë për të ofruar. Ai është një nga zonat me popullsinë më të dendur në botë, me mbi 10 mijë banorë në një hapësirë prej 4 kilometrash katrorë.

"Proçida është një bashkim i të gjitha kulturave mesdhetare, ato që erdhën në ishull falë anijeve, sepse në historinë e Proçidas deti ka qenë gjithmonë elementi lidhës, ai që na lejoi të jemi në kontakt me shumë vende në Mesdhe dhe në të gjithë botën", thotë kryebashkiaku i ishullit.

Ngjarjet kryesore të planifikuara për vitin 2022 do të përqendrohen në art dhe muzikë, por edhe në letërsi, ushqim, arkitekturë dhe, natyrisht, vendpushimet detare.

Artistja Antonietta Righi ka lindur në ishull dhe ka jetuar gjithmonë këtu, por është vlerësuar gjerësisht për punën e saj dhe ka fituar çmime në Evropë dhe Amerikë.

Ajo flet shumë për artistët e rinj të kohës së tanishme, duke vlerësuar entuziazmin dhe iniciativën e tyre.

"Ka shumë të rinj këtu që janë shumë të aftë, shumë krijues", thotë ajo.

Proçida gjithashtu pretendon të jetë ishulli i parë italian që ka përfunduar fushatën e vaksinimit kundër Covid-19. Kryebashkiaku Ambrosino tha se vetëm 40 njerëz të ishullit ishin të infektuar me Covid në fillim të majit, por ai shpreson së shpejti, me shërimin e tyre, ishulli do të jetë pa virus./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat