Gazetari i arrestuar lavdëron Lukashenkon, pranon se u përpoq ta rrëzonte

Evropë

Gazetari i arrestuar lavdëron Lukashenkon, pranon se u përpoq ta rrëzonte

Më: 4 qershor 2021 Në ora: 08:27
Roman Protasevich

Gazetari bjellorus, Roman Protasevich, i cili u arrestua pas aterrimit të detyrueshëm të aeroplanit me të cilin po udhëtonte, është paraqitur në një intervistë për televizionin shtetëror të Bjellorusisë.

Gjatë intervistës, ai u rrëfye për organizimin e protestave kundër qeverisë dhe e vlerësoi lart presidentin autoritar, Aleksander Lukashenko. Familja e tij tha se intervista është realizuar me detyrim, shkruan BBC.

Ai pranoi se është përpjekur që ta rrëzojë nga pushteti Lukashenkon dhe tha se është duke folur në televizion me zgjedhjen e tij. Gazetari shtoi se e ka kritikuar shumë presidentin bjellorus, por më pas tha: “Fillova ta kuptoj se ai po e bënte gjënë e duhur dhe unë sigurisht se e respektoj atë.”

Në fund të intervistës, gazetari filloi të qante dhe tha se shpresoj që një ditë do të martohet dhe do të ketë fëmijë.

Protasevich vitin e kaluar u fut në listën e individëve të përfshirë në aktivitete terroriste. Ai deri vitin e kaluar ishte redaktor i kanalit “Nexta” në aplikacionin e mesazheve, Telegram.

Protesta masive shpërthyen në Bjellorusi vitin e kaluar, pasi presidenti Lukashenko e shpalli fitoren në zgjedhjet e 9 gushtit, ndonëse opozita e akuzoi për mashtrime. Forcat e sigurisë i shtypën me dhunë protestat.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat