Tsikhanouskaya bën thirrje për më shumë sanksione ndaj Lukashenkas

Evropë

Tsikhanouskaya bën thirrje për më shumë sanksione ndaj Lukashenkas

Më: 8 qershor 2021 Në ora: 19:19
Liderja e opozitës së Bjellorusisë, Svyatlana Tsikhanouskaya

Shefja e opozitës bjelloruse, Svyatlana Tsikhanouskaya, i bëri thirrje Perëndimit që të vendos sanksione më të ashpra ndaj qeverisë së Alyaksandr Lukashenkas.

Sipas saj, ato janë mënyra e vetme për të dëmtuar regjimin aurotitar të sunduesit të Bjellorusisë.

"Mund ta bllokojmë këtë regjim në aspektin ekonomik në mënyrë që ai të mos mund të paguajë policinë dhe ushtrinë", tha Tsikhanouskaya në një intervistë ekskluzive të dhënë në selinë e Radios Evropa e Lirë në Pragë.

Pas zgjedhjeve presidenciale të mbajtura më 9 gusht të vitit 2020, Tsikhanouskaya u largua nga Bjellorusia dhe shkoi në Lituani pasi kishte shqetësime për sigurinë e saj dhe të familjes.

Pas zgjedhjeve shpërthyen protesta pasi fitues u shpall Lukashenka, por opozita thotë se ato u fituan nga Tsikhanouskaya.

Lukashenka 66-vjeç, i cili ka drejtuar vendin që nga vitit 1994, u akuzua nga opozita dhe vendet perëndimore për mashtrim të gjerë të votuesve.

Që nga ajo kohë autoritetet e sigurisë kanë arrestuar dhjetëra mijëra protestues dhe aktivistë të opozitës. Disa protestues janë vrarë derisa organizatat e të drejtave të njeriut thonë se ka prova për tortura kundër disa prej të arrestuarve.

Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara, Kanadaja dhe vendet e tjera kanë refuzuar të njohin Lukashenkan si udhëheqësin legjitim të Bjellorusisë dhe kanë vendosur sanksione ndaj tij dhe disa zyrtarëve të lartë bjellorusë.

Thirrjet për sanksione shtesë janë shtuar pasi muajin e kaluar, Lukashenka urdhëroi që një aeroplan i Ryanair që po fluturonte nga Greqia për në Lituani, të devijojë fluturimin dhe të ulet në aeroportin e Minskut. Autoritetet e sigurisë pastaj e arrestuan gazetarin dhe aktivistin e opozitës, Raman Pratasevich dhe të dashurën e tij.

Në intervistën për REL-in Tsikhanouskaya shprehu optimizëm se në atdheun e saj ndryshimi demokratik do të ndodhë së shpejti.

Ajo gjithashtu u zotua se do të vazhdojë me përpjekjet e saj që situata në Bjellorusi të jetë në qendër të vëmendjes ndërkombëtare.

Tsikhanouskaya arriti në Pragë të Çekisë më 6 qershor për një vizitë katër-ditore me ftesë të kryetarit të Senatit të Çekisë, Millosh Vystrcil.

Më herët, Lukashenka ka akuzuar Perëndimin për përpjekje “për të shkatërruar” vendin e tij, duke i injoruar rezultatet e zgjedhjeve dhe duke bërë përpjekje për të organizuar revolucion kundër tij.

Në një fjalim para zyrtarëve dhe mediave shtetërore, Lukashenka tha se protestat e vazhdueshme në Bjellorusi janë organizuar nga Shtetet e Bashkuara dhe “satelitët e tyre: Polonia, Lituania, Republika Çeke dhe, për fat të keq, Ukraina”, të cilat, sipas tij, kanë bërë përpjekje të organizojnë një revolucion./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat