Administrata e Presidentit Biden shqyrton sanksione të reja ndaj Bjellorusisë

Evropë

Administrata e Presidentit Biden shqyrton sanksione të reja ndaj Bjellorusisë

Më: 10 qershor 2021 Në ora: 17:04
Presidenti bjellorus Alexander Lukashenko

E emëruara për ambasadore amerikane në Bjellorusi u tha ligjvënësve amerikanë të mërkurën se ndërvarësia e këtij vendi nga Rusia është rritur në mënyrë domethënëse. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Catherine Gypson, paralajmërimi vjen ndërsa një komision i Senatit amerikan po shqyrton opsionet për të reaguar ndaj arrestimit në Bjellorusi muajin e kaluar të opozitarit Raman Pratasevich.

Protestat në Uashington dhe në kufirin e Lituanisë, sollën në vëmendje shtypjen e vazhdueshme të disidencës në Bjellorusi, pas uljes së detyruar muajin e kaluar të avionit të linjës Ryanair, me qëllim arrestimin e blogerit Raman Pratasevich, një kritik i njohur i udhëheqësit autoritar Alexander Lukashenko.

E emëruara për ambasadore amerikane në Bjellorusi u tha ligjvënësve amerikanë të mërkurën se administrata e Presidentit Biden po shqyrton vendosjen e sanksione të reja, krahas fondeve të shtuara për programet e asistencës.

Image
Julie Fisher

“Kemi identifikuar mbi 20 milionë dollarë shtesë për të ofruar mbështetje emergjence për udhëheqësit e shoqërisë civile që janë shtrënguar të largohen nga Bjellorusia, për të mbështetur zërin e njerëzve në Bjellorusi, për të promovuar median e pavarur, për të dokumentuar shkeljet e të drejtave të njeriut dhe për t’i ndihmuar ata që ndodhen brenda dhe jashtë Bjellorusisë që të qëndrojnë të bashkuar”, tha Julie Fisher, e emëruara për ambasadore në Bjellorusi.

Ndërsa Presidenti Biden ndodhet në Evropë për takimin e G-7ës dhe për një takim me mbështetësin e Lukashenkos, Presidentin rus Vladimir Putin, ligjvënësit thonë se Shtetet e Bashkuara duhet të veprojnë me shpejtësi.

Image
Bob Menendez

“Duhet të kemi një hetim të thellë dhe një ndëshkim të përqëndruar për rrëmbimin më 23 maj të avionit të kompanisë Ryanair. Një përgjigje e vakët do të dërgonte sinjalin e gabuar për autokratët në çdo cep të botës që mund të godasin disidentët pa asnjë pasojë”, tha Senatori demokrat Bob Menendez.

Udhëheqësja opozitare bjelloruse Sviatlana Tsikhanouskaya, duke dëshmuar në Kongres nëpërmjet telefonit, tha se Lukashenko po e shndërron vendin në Korenë e Veriut të Evropës.

Image
Sviatlana Tsikhanouskaya

“Përgjigja e vetme e regjimit ka qenë dhuna. 35 mijë të arrestuar. 3 mijë procese të motivuara politikisht. Mijëra raste rrahjesh dhe troturash. Ka patur të paktën 10 të vdekur nga protestat”, tha zonja Tsikhanouskaya.

Lukashenko, i cili ka qenë në pushtet që nga viti 1994, nënshkroi një ligj këtë javë që shton dënimet me burg për protestuesit pa leje. Protestat kanë vazhduar që kur Lukashenko u rizgjodh në muajin gusht, me një palë zgjedhje që u panë gjerësisht si të manipuluara./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat