Abazoviç bllokon portin e Tivarit për trafikun e cigareve: Mbaroi loja për ata që na vodhën!

Evropë

Abazoviç bllokon portin e Tivarit për trafikun e cigareve: Mbaroi loja për ata që na vodhën!

Më: 24 korrik 2021 Në ora: 10:56
Dritan Abazoviç

Zv.kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç ka marrë një vendim drastik, duke ndaluar tregtinë e cigareve nëpërmjet portit të Tivarit, dhe duke e bllokuar kështu portën kryesore të kontrabandës 30 vjeçare.

Duke folur në Parlamentin e Malit të Zi, Abazoviç ka deklaruar se është miratuar një ligj i rëndësishëm për të ndaluar trafiqet.

“Ambasadori amerikan William Montgomery tha se ata lejuan kontrabandën në mënyrë që qeveria e atëhershme të mund të financonte aktivitetet e saj politike. Unë nuk kam asnjë dyshim se si qeveria e atëhershme apo secila qeveri tjetër mund të financojë fushatat nga trafiqet, por kjo duhet marrë fund.

Vendi është i mbingarkuar me borxhe dhe njerëz të caktuar kanë siguruar pasuri marramendëse, e ne do t’i japim fund kësaj vjedhjeje masive. Vetëm nga kontrabanda kemi humbur të paktën ndërtimin e një autostrade të re”, tha Abazoviç para deputetëve.

“Tregu i cigareve në Mal të Zi është midis 35 dhe 40 milion eurove, në varësi të sezonit. Kjo është shifra që ne humbasim drejtpërdrejt nga mungesa e vjeljes së akcizës. Pjesa tjetër është kontrabandë që shkon jashtë kufijve të vendit tonë. Sipas vlerësimeve të tyre, 20% e kontrabandës së cigareve në Europë kalon përmes Malit të Zi.

Unë nuk dua që Mali i Zi të jetë një destinacion i kontrabandës dhe nëse duhet të paguajmë një çmim të lartë për ta ndaluar jemi të gatshëm ta bëjmë”, tha ai, duke shtuar se mënyra e vetme për të zgjidhur këtë problem është miratimi i ligjeve.

“Ajo për të cilën unë jam duke apeluar është që të miratojmë Ligjin për Origjinën e Pronës. Provat janë në duart të sigurta dhe tregojnë lidhjen e kontrabandistëve me disa nga më të fuqishmit e vendit”, tha Abazoviç.

Siç bën të ditur gazeta malazeze ‘Vijesti’, numri dy i qeverisë së vendit, shqiptari Dritan Abazoviç, tha se kontrabandistët e kanë vjedhur vendin në vite e vite me radhë. “Tani unë u them atyre – loja mbaroi!”, tha ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat