Në të gjithë Francën ka nisur viti i ri akademik në kushtet e pazakonta që dikton situata e pandemisë së COVID-19. 12 milionë fëmijë janë rikthyer në banka, por duke mbajtur maska sipas një protokolli të rreptë të masave.
Presidenti Emmanuel Macron vizitoi një shkollë fillore në qytetin jugor të Marsejës. Pasi përshëndeti fëmijët ai i siguroi të gjithë për një proces sa më normal mësimor.
“Ne po bëjmë maksimumin në mënyrë që kthimi i fëmijëve në shkollë të jetë sa më normal që të jetë e mundur … pasi virusi vazhdon të përhapet“.
Të vegjëlve do t’u kërkohet të lajnë duart shpesh dhe klasat do të ajrosen e pastrohen rregullisht. Macron u bëri thirrje adoleshentëve të vaksinohen. Për moshat nga 12-16 vjeç duhet miratimi i të paktën njërit nga prindërve. Nëse një nga nxënësit rezulton pozitiv me virus, klasa detyrohet të mbyllet për shtatë ditë.
Më shumë se 63% e grupmoshave nga 12-17 vjeç kanë marrë të paktën një vaksinë dhe 47% janë plotësisht të vaksinuar. Mbetet për t’u parë nëse do të ketë një rritje të rasteve me nisjen e procesit të ri mësimor.