Lamtumira gjermane për ‘kancelaren e krizave’ Angela Merkel

Evropë

Lamtumira gjermane për ‘kancelaren e krizave’ Angela Merkel

Më: 24 shtator 2021 Në ora: 19:29
Kancelarja gjermane, Angela Merkel.

Pas 16 vitesh, Gjermania po përgatitet t’i japë lamtumirën kancelares Angela Merkel, e cila po jep dorëheqjen pas zgjedhjeve të planifikuara për të dielën. Siç njofton nga Berlini korrespondenti i Zërit të Amerikës, Henry Ridgwell, zonja Merkel ishte kancelarja e parë grua e Gjermanisë dhe udhëheqësja e saj e parë që u rrit në ish-Gjermaninë Lindore.

Karriera politike e Angela Merkelit filloi pasi Perdja e Hekurt po binte në Evropë.

Pas ribashkimit gjerman në 1990, ajo u emërua ministre për gratë dhe të rinjtë.

Ajo u bë udhëheqëse e Partisë së Demo-Kristianëve në vitin 2000 dhe fitoi me rezultat të ngushtë zgjedhjet e vitit 2005.

Ajo u përball me krizën e saj të parë të madhe vetëm tre vjet më pas: kolapsin global financiar. Ndërsa njerëzit i drejtoheshin në masë sporteleve të bankave gjermane, zonja Merkel u përpoq të qetësonte situatën.

"Mund t’u themi njerëzve se depozitat e tyre janë të sigurta dhe se i garanton qeveria gjermane", deklaroi në atë kohë zonja Merkel.

Kriza bankare u shndërrua në një krizë borxhi të euros. Zonja Merkel ngurroi të garantonte Eurozonën. Ajo u bë një figurë e urryer në Greqi, e cila zbatoi shkurtime të thella të shpenzimeve. Evropa u trondit, por monedha euro mbijetoi.

"Merkel njihet si një ‘kancelare e krizave’ pasi asaj i është dashur të kapërcejë disa kriza globale gjatë periudhës së saj në detyrë. Jo vetëm për Gjermaninë, por edhe brenda Bashkimit Evropian, me partnerët transatlantikë, si dhe me Kinën dhe Rusinë”, thotë Nico Friedl, korrespondent i gazetës “Süddeutsche Zeitung”.

Pushtimi rus në Ukrainë në vitin 2014 solli konflikt në Evropë. Kancelarja Merkel vazhdoi dialogun me Presidentin rus Vladimir Putin.

"Stili i Angela Merkelit është të flasë, të flasë dhe të flasë, madje edhe me Kinën dhe me Rusinë", thotë Ursula Weidenfeld, biografe e zonjës Merkel.

Sfida më e madhe e Kancelares Merkel erdhi me krizën e emigrantëve në 2015. Ajo nuk pranoi të mbyllte kufijtë e Gjermanisë ndërsa refugjatët dhe emigrantët vërshuan drejt Evropës. Më shumë se 1 milion emigrantë mbërritën në Gjermani - shumë prej tyre që i largoheshin luftës në Siri. Kjo shkaktoi një reagim të ashpër, por zonja Merkel mbajti pozicionin e saj.

"Nëse duhet të fillojmë të justifikohemi për shfaqjen e një fytyre miqësore në kohë krize, atëherë ky nuk është vendi im", thoshte zonja Merkel.

Gjashtë vjet më vonë, zonja Merkel thotë se nuk është penduar.

"Ajo besonte se këta njerëz duhet të trajtoheshin siç duhet, se ata nuk duhet të bllokoheshin në kufij. Por kjo shkaktoi më shumë ndarje në Evropë se sa bashkim. Çështja se si blloku duhet të trajtojë emigracionin ende nuk është zgjidhur sot”, thotë zoti Friedl.

Në vitin 2016 erdhi Brexit-i dhe zgjedhja e Donald Trump-it si president i Shteteve të Bashkuara. Marrëdhëniet transatlantike ishin tensionuar dukshëm.

"Pasi kuptoi se nuk do të kishte ndonjë mënyrë për të gjetur një marrëdhënie që mund të ishte konstruktive me atë president, ajo thjesht ndërroi taktikë dhe krijoi miqësi me vajzën e tij", thotë zonja Weidenfeld.

Angela Merkel ishte shpesh e vetmja grua në mesin e burrave me pushtet. E pyetur drejtpërdrejt në vitin 2017 nëse ajo ishte feministe, zonja Merkel tha se nuk donte të etiketohej. Në fillim të këtij muaji, pikëpamja e saj kishte ndryshuar.

"Sot e kam menduar përgjigjen time më shumë dhe kështu mund të them se po: ne të gjithë duhet të jemi feministë", tha ajo.

Me pragmatizëm dhe vendosmëri, mbështetësit e saj thonë se Angela Merkel e ka udhëhequr Gjermaninë përmes krizave të shumta - dhe ka siguruar stabilitet për Evropën dhe Perëndimin.

Por kritikët thonë se ‘kancelarja e krizave’ nuk arriti të shikonte drejt së ardhmes.

“Ajo gjithmonë i zgjidhte problemet dhe çështjet që gjendeshin në tryezë. Por përsa i përket investimit në vazhdimësi dhe në linja politike më afatgjata se dy ose tre ose katër vjet, si ndryshimet klimatike, ajo nuk bëri sa duhet", thotë zonja Weidenfeld.

Angela Merkel u rrit në qytetin e qetë Templin në veri të Berlinit, në atë kohë në Gjermaninë Lindore, dhe ende ka të afërm në atë qytet. Kryebashkiaku thotë se ajo mishëron karakterin lokal.

"Paraqitja e saj e qetë, natyra e saj me këmbë në tokë dhe çfarë shihni gjithashtu tek ajo është këmbëngulja prusiane - që kur fillon diçka, e çon deri në fund", thotë Detlef Tabbert, Kryetar i Bashkisë Templin.

Për Gjermaninë, për Evropën, është fundi i një epoke. Për Angela Merkelin - ndoshta fillimi i diçkaje të re./VOA

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat