Dalin rezultatet definitive preliminare, ja kush i ka gjasat më të mëdha për kancelar të Gjermanisë

Evropë

Dalin rezultatet definitive preliminare, ja kush i ka gjasat më të mëdha për kancelar të Gjermanisë

Nga: Bota sot Më: 26 shtator 2021 Në ora: 19:12
Olaf Scholz (m., SPD) dhe Armin Laschet (d., CDU/CSU)

(E plotësuar 07:25) - Partia Social-Demokrate (SPD) e qendrës së majtë, ka fituar zgjedhjet federale në Gjermani, duke mposhtur partinë e kancelares në shkuarje, Angela Merkel, sipas rezultateve preliminare.

SPD ka siguruar 25.7 për qind të votave, derisa blloku konservator i Merkelit, Demokrisian/Kristian-Social (CDU/CSU), ka siguruar 24.1 për qind.

Partia e Gjelbër ka shënuar rezultatin më të mirë në historinë e partisë, duke u renditur e treta me 14.8 për qind të votave.

Image
Lideri i Partisë Social-Demokrate, Olaf Scholz, shihet duke reaguar pas rezultateve të para të zgjedhjeve të 26 shtatorit.

Një koalicion është i domosdoshëm për të krijuar qeverinë.

Lideri i SPD-së, Olaf Scholz, ka thënë më herët se partia e tij ka mandat të pastër për të udhëhequr, ndërkohë që partia e tij është nisur drejt numrave të parë në listë.

Sondazhet kanë parashikuar një garë të nxehtë, mirëpo këto zgjedhje kanë qenë të paparashikueshme.

Një gjë është e qartë se, kancelarja në shkuarje nuk do të shkojë askund derisa të formohet qeveria – dhe kjo gjë mund të vonohet deri në kohën e Krishtlindjes.

Detyra e pasardhësit të Merkelit është që të udhëheqë ekonominë më të madhe në Evropë në katër vitet e ardhshme, derisa edhe ndryshimet klimatike janë në krye të agjendës.

Scholz i ka thënë një audience televizive se votuesit i kanë dhënë atij detyrën e “formimit të një qeverie të mirë dhe pragmatike për Gjermaninë”.

Rivali i tij konservator, Armin Laschet, ka reaguar, po ashtu, duke thënë se ky proces është për formim të koalicionit dhe jo për “shumicë aritmetike”.

Përtej partive të mëdha, dita e zgjedhjeve nuk ka qenë me sukses të konsiderueshëm për të majtën radikale dhe atë të së djathtës ekstreme.

Partia e krahut të majtë, Die Linke, mund edhe të mos jetë më në parlament, nëse rezultati i saj zgjedhor bie nën 5 për qind.

Ndonëse partia e ekstremit të djathtë, Alternativa për Gjermaninë, duket se ka shënuar ulje në nivel kombëtar, ajo ka dalë partia më e madhe në landet gjermane, Saksoni dhe Turingia.

Merkel, e cila ka qenë në pushtet nga viti 2005, nuk do të jetë më pjesë e udhëheqësisë gjermane.

***

​SPD fitoi më së shumti vota. Unioni CDU/CSU shënoi rezultatin më të dobët në historinë e zgjedhjeve parlamentare pas Luftës së Dytë Botërore.

Vijojnë ekologjistët, liberalët dhe AfD.

E Majta nuk kaloi pragun zgjedhor por në disa zona kanë fituar kandidatët e saj të drejtpërdrejtë, kështu që do të ketë disa deputetë… tani fillon beteja për koalicione. Por Olaf Scolz ka më së shumti shansa të bëhet kancelar!

Image
Rezultatet definitive preliminare

Avantazhi i SPD mbi CDU/CSU po rritet

Rezultatet e reja paraprake të zgjedhjeve parlamentare në Gjermani, të cilat u shpallën nga televizionet ARD dhe ZDF në orën 22:00, tregojnë se përparësia e SPD -së ndaj bashkimit CDU / CSU po rritet.

Sipas rezultateve të reja paraprake, bazuar në një mostër të vogël të votave të numëruara, SPD kryeson me 25.8 për qind të votave sipas ARD, dhe sipas ZDF me 26 për qind.

CDU / CSU aktualisht fitoi respektivisht 24.2 dhe 24.5 për qind të votave.

Në vendin e tretë janë Të Gjelbrit me 14.3, pasuar nga Liberalët me 11.5. Alternativa e krahut të djathtë për Gjermaninë tejkalon 10 për qind, dhe E majta është pak mbi pragun prej pesë për qind.

***

Sondazhet e para pas mbylljes së procesit të votimit në Gjermani, shpallin fituese të zgjedhjeve partinë socialdemokrate, duke dhënë shenja të ndryshimit të pushtetit. Deri më tani, Partia Socialdemokrate ka marrë kryesimin me 25.5 % të votave, ndërsa partia e Angela Merkelit CDU/CSU me 24.5%.

Sa i përket shpërndarjes së vendeve në Bundestag, deri më tani situata paraqitet e tillë CDU/CSU 197 ulëse dhe SPD me 202.

Sipas mediave të huaja me këtë rezultat paraprak rritet pesha e Të Gjelbërve dhe liberalëve, të cilët janë në rrugën e duhur për të regjistruar rezultatin e tyre më të mirë ndonjëherë me rreth 14% të votave, ndërsa Alternativa e ekstremit të djathtë për Gjermaninë (AfD) dhe Demokratët e Lirë (FDP) pro-biznesit po shkojnë në rreth 11%, ndërsa Partia Socialiste e Majtë në 5%.

Image
Rezultatet paraprake të sondazheve në Gjermani

Të dy partitë që kryesojnë rezultatin kanë thënë se duan të formojnë qeverinë e ardhshme, teksa kandidati i CDU/CSU, Armin Laschet ka pranuar më herët rezultatin e dobët.

Në anën tjetër, kandidati i SPD-së, Olaf Scholz ka shprehur bindjen tek fitorja duke deklaruar se qytetarët gjermanë kërkojnë që ai të zgjidhjet kancelar i ardhshëm.

Ndaj partisë së Angela Merkelit kanë ardhur edhe kritikat e para. Një profesor i njohur i shkencave politike në Gjermani, është shprehur se rezultati paraprak është katastrofë për Armin Laschet pasi sipas tij, në zgjedhjet e kaluara, nga exit-pollet e para, partia e kryesuar nga Merkel ka kryesuar gjithmonë me 40% të votave.

***

Ka përfunduar procesi i votimit në Republikën Federale të Gjermanisë ku qytetarët iu drejtuan kutive të votimit për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre në Parlamentin Federal si dhe kancelarin e ri.

Këtë herë gjermanët nuk kanë mundur të votonin për Angela Merkel, e cila ka vendosur të tërhiqet nga politika pas 15 vjetëve si Kancelare.

Projektimi i fundit i rezultateve tregon që të majtit e qendrës kanë fituar më së shumti vota në krahasim me zgjedhjet e kaluara, ndërsa konservatorët kanë humbur më së shumti, shkruan DW.

SPD kryeson me 25.5% të votave, CDU ka 24.5% ndërsa të Gjelbrit kanë 13.8%.

Partia e së djathtës ekstreme, AfD, ka 10.9% sipas rezultateve.

Rezultatet përfundimtare pritet të dalin afër mesnatës.

Image

***

Dramë në zgjedhjet në Gjermani.

Projeksioni i dytë i ARD e sheh fituese partinë SPD, para bashkimit konservator CDU/CSU. Kjo parti sipas rezultateve ka fituar 25.2 për qind të votave, ndërsa CDU/CSU ka rënë në 24.6 për qind të votave! Vetëm 0.2 pikë përqindje diferencë, raporton Bild, përcjell Bota sot.

Projeksioni aktual i ZDF i orës 19:31 sheh SPD me 25.7 për qind përpara CDU/CSU (24.6 për qind).

Image

Të Gjelbrit fituan 14.3 për qind përpara FDP (11.6 për qind). AfD arrin në 11.1 për qind. E majta: pak mbi pengesën 5 për qind.

***

Laschet: E dinim se do të ishte një garë e ngushtë

Kandidati për kancelar nga bashkimi konservator CDU/CSU, Armin Laschet, ka thënë se ishin në dijeni se rezultati do të ishte i ngushtë, pas publikimit të Exit Polleve të para në zgjedhjet në Gjermani.

“Ne e dinim që do të ishte një garë e ngushtë. Rezultati përfundimtar nuk është i sigurt, por ne nuk mund të jemi të kënaqur me këtë rezultat”, pranoi ai.

"Do të jetë një natë e gjatë”, vijoi Laschet.

Ai thotë se të gjitha palët tani duhet të "kapërcejnë kontradiktat e tyre dhe ta mbajnë Gjermaninë së bashku".

"Ne kemi marrë një mandat të qartë nga votuesit tanë. Një votë për unionin tonë është një votë kundër një qeverie të majtë. Ne do të bëjmë gjithçka që mundemi për të formuar një qeveri të udhëhequr nga CDU", deklaroi ai.

Laschet falënderoi Angela Merkelin për 16 vitet e saj si kancelare.

Befasi të mëdha në Gjermani

Gjermaninë e pret sonte një natë jashtëzakonisht e gjatë zgjedhore, sepse për momentin flitet për një garë jashtëzakonisht të ngushtë për vendin e parë. Ndaj nuk dihet fare se kush do ta pasojë kancelaren Angela Merkel në këtë post.

Unioni CDU/CSU ka fituar sipas prognozave të para rreth 25% të votave, por ky është rezultati më i dobët në historinë e zgjedhjeve parlamentarë në Gjermani, pas Luftës së Dytë Botërore. Amosfera në këto parti nuk është aspak e mirë, sepse këto parti kanë humbur shtatë përqind të votave, krahasuar me zgjedhjet e kaluara.

25 përqind të votave ka fituar sipas prognozave edhe partia SPD, e cila e ka përmirësuar rezultatin e zgjedhjeve të kaluara për rreth pesë përqind. Varësisht prej rezultateve përfundimtare, njëra prej këtyre partive do të ketë përparësi për krijimin e qeverisë. Në vendin e tretë janë ekologjistët me rreth 15%.

Image

Pasojnë liberalët dhe AfD me rreth 11 përqind si dhe e Majta me vetëm 5 %.

Koalicioniet e mundshme qeveritare janë për momentin vazhdimi i koalicionit të madh CDU/CSU dhe SPD, por këtë nuk e do askush për momnetin. Pastaj CDU/CSU + ekologjistët + liberalët. Apo SPD + ekologjistët + liberalët. Por kjo varet nga rezultatet përfundimtare. Në zgjedhje morën pjesë 76,5% e rreth 60,4 milionë të votuesve. Për herë të parë kanë kandiduar edhe katër shqiptarë, por ende nuk dihet a do të futen në Bundestag.

***

Rezultatet paraprake sipas exit polls pas mbylljes së qendrave të votimit në orën 18:00 janë:

CDU/CSU   25%

SPD     25%

Të Gjelbërit  15%

FDP  11%

AfD  11%

E Majta   5%

Të tjera  8%

Për shkak të pandemisë së koronavirusit sivjet shumë zgjedhës kanë votuar në distancë me postë. Rreth 38 deri në 40 përqind të zgjedhësve mund të kenë votuar me postë. Edhe këto vota numërohen paralelisht me votat e hedhura fizikisht në kutitë e votimit gjatë së dielës (26.09). 

Image
Numërimi i votave me postë

 

Qytetareve dhe qytetarëve me të drejtë vote në Gjermani iu bë thirrje këtë të dielë (26.09) të votojnë për një parlament të ri, Bundestag. Me votën e tyre zgjedhësit përcaktojnë se kush do të qeverisë në katër vitet e ardhëshme pas 16 vjetësh me kristiandemokraten Angela Merkel si kancelare. Kjo e fundit nuk rikandoi më. 

Sistemi elektoral në Gjermani parashikon dy lloj votash, vota e parë për kandidatët dhe vota e dytë për partitë. Eshtë pikërisht vota e dytë për partitë që në bazë të numrit të votave përcakton edhe partinë me përqindjen më të lartë e si rrjedhojë edhe se kush do të jetë kancelare apo kancelar. Pra vota e dytë për partinë është përcaktuese edhe për kancelarin. Në bazë të rezultateve përcaktohet niveli i përfaqësimit politik në parlament dhe numri i mandateve për secilën parti.

Gjithsej janë 47 parti dhe grupime që konkurrojnë në zgjedhje – kaq shumë nuk ka pasur asnjëherë më parë në garë që pas ribashkimit të Gjermanisë. Në Bundestag-un e 20-të gjerman sidoqoftë me gjasë do të përfaqësohen vetëm gjashtë partitë e si deri më sot: CDU/CSU, SPD, Të Gjelbërit, FDP, AfD, E Majta. 

Sipas sondazheve pritet që për herë të parë që nga viti 1957 në Gjermani të jetë i nevojshëm një koalicion qeverisës i përbërë nga tri parti. Asnjëra nga partitë me gjasë nuk mund të arrijë shumicën e nevojshme për të qeverisur vetëm ose në koalicion dysh. Kësisoj konstelacionet e mundshme janë nga më të ndryshmet, si më realiste duken modelet: CDU/CSU – Të Gjelbërit – FDP, ose opcioni SPD – TË Gjelbërit – FDP. Në një koalicion të tillë do të ishte mjaft e vështirë ujdia për përmbajtjen e marrëveshjes së koalicionit për shkak të koncepteve politike me dallime të mëdha mes këtyre partive. Një koalicion SPD – Të Gjelbër – Të Majtë duket më pak i mundshëm duke iu referuar shifrave nga sondazhet paraelektorale. Ndërsa një aleancë me partinë populiste të djathtë AfD e përjashtojnë të gjitha partitë./DW

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat