​Kancelari i ri i Austrisë thotë se Ballkani Perëndimor është një nga prioritetet e tij

Evropë

​Kancelari i ri i Austrisë thotë se Ballkani Perëndimor është një nga prioritetet e tij

Më: 15 tetor 2021 Në ora: 20:01
Alexander Schallenberg

Kancelari i ri austriak, Alexander Schallenberg, vizitoi Brukselin, e para kjo ndërkombëtare pas marrjes së postit. Duke paraqitur përparësitë e tij politike te zyrtarët e Bashkimit Evropian, Schallenberg tha se një nga përpjekjet kryesore do të ishte afrimi i Ballkanit Perëndimor me BE-në.

Schallenberg, i cili punoi në Bruksel dhe përfundoi studimet pasuniversitare në Kolegjin e Evropës në Brizh, e quajti udhëtimin në Belgjikë një "kthim në shtëpi" dhe theksoi se ishte një "sinjal i vetëdijshëm" që Austria dëshiron të punojë ngushtë me BE-në për të adresuar sfidat përpara, shkruan Euraktive.

Ai gjithashtu theksoi se dëshiron të vazhdojë rrugën e paraardhësit të tij, Sebastian Kurz, i cili u detyrua të jep dorëheqje pas skandalit me korrupsion.

Schallenberg tha se një nga shqetësimet e tij kryesore do të ishte afrimi i Ballkanit Perëndimor me BE dhe lehtësimi i hyrjes së rajonit në BE.

"Qëllimi më i rëndësishëm i Austrisë është që të mos ketë më ndarje në Evropë," tha kancelari i ri austriak, duke shtuar se zgjerimi i BE-së në Ballkanin Perëndimor ishte "një çështje emocioni".

Schallenberg tha gjithashtu se nuk dëshiron të jep përshtypjen për anëtarët lindorë të BE-së se ata janë vende të klasës së dytë.

Sidoqoftë, ai dënoi ashpër zhvillimet e fundit në Poloni, gjykata kushtetuese e së cilës vuri në pikëpyetje përparësinë e BE-së mbi atë kombëtare. Schallenberg e quajti vendimin e javës së kaluar të Gjykatës Kushtetuese polake "jashtëzakonisht të rrezikshme".

"Unë mendoj se qasja ndaj Polonisë është plotësisht e saktë. Sidoqoftë, gjërat varen nga mënyra se si komunikojmë me njëri-tjetrin," tha Schallenberg.

Schallenberg tha në Bruksel se do të ndiqte politikën fiskale konservatore të paraardhësit të tij dhe qëndrimin e vendosur të Austrisë ndaj migrimit.

Kancelari i ri bisedoi në Bruksel më 14 tetor me presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Layen dhe presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel.

Sipas agjencisë AFP, Von der Leyen vlerësoi gjithashtu se fakti që Schallenberg zgjodhi Brukselin për vizitën e parë, paraqet një "sinjal të fortë".

“Pres një bashkëpunim të mirë. Ne kemi shumë të përbashkëta," tha Ursula von der Leyen, duke treguar politikën evropiane të klimës, digjitalizimin dhe tejkalimin e pasojave të pandemisë.

"Mund të jeni të sigurt se Austria do të përpiqet të jetë konstruktive, por natyrisht, nëse është e nevojshme, një partner vokal në BE," tha Schallenberg.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat