Mbetet pezull qeveria e re/ Çekët nuk dinë se çfarë po ndodh me presidentin e sëmurë

Evropë

Mbetet pezull qeveria e re/ Çekët nuk dinë se çfarë po ndodh me presidentin e sëmurë

Më: 16 tetor 2021 Në ora: 18:57
Milos Zeman

Ndërsa në Çeki pritet të formohet qeveria e re, qytetarët nuk dinë asgjë se çfarë po ndodh me presidentin e shtruar në spital.

Presidenti Milos Zeman u dërgua në kujdesin intensiv në spital më 10 tetor. Që atëherë, zëdhënësi dhe mjekët e tij nuk kanë dhënë asnjë detaj mbi sëmundjen e tij, por as një afat sesa kohë do t'i duhet që të shërohet.

Politikanët dhe qytetarët tani po pyesin nëse presidenti 77-vjeçar është i aftë për të kryer detyrat e tij në vendin e Evropës Qendrore.

Është edhe më shqetësuese, thonë ata, sepse Republika Çeke sapo ka mbajtur zgjedhjet dhe është detyrë e presidentit të emërojë kryeministrin e ardhshëm.

"Ne kemi filluar të dukemi si Bashkimi Sovjetik ose Koreja e Veriut," tha Michael Zantovsky, një zëdhënës i Havel në fillim të viteve 1990, i cili tani drejton Bibliotekën Vaclav Havel.

Zëdhënësi i presidentit tha se "Zeman po ndjek zhvillimet në vend. Të qenit në spital nuk ka penguar detyrat kushtetuese të presidentit", tha ai.

Dy grupe që ishin në opozitë fituan shumicën në dhomën e ulët të parlamentit në zgjedhjet e 8-9 tetorit. Sipas kushtetutës, është detyrë e Zeman të pranojë dorëheqjen e qeverisë dhe të emërojë kryeministrin, pasi parlamenti i ri të mblidhet për seancën e tij të parë më 8 nëntor.

Nëse presidentit do t’i hiqeshin kompetencat për shkak të paaftësisë, detyrat e tij do të ndaheshin, kryesisht midis kryetarit të dhomës së ulët - i cili do të emërojë kryeministrin e ri - dhe kryeministrit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat