​Ish-stjuardesat e Alitalia hoqën të brendshmet në Romë në shenjë proteste

Evropë

​Ish-stjuardesat e Alitalia hoqën të brendshmet në Romë në shenjë proteste

Më: 21 tetor 2021 Në ora: 19:23
Pamje nga protesta

Dhjetëra stjuardesa tani të papunë nga linja ajrore italiane e falimentuar Alitalia hoqën uniformat e tyre në shenjë proteste dhe qëndruan me të brendshme në mes të Romës.

Fluturimi i fundit i Alitalia u zhvillua më 14 tetor. Linja e re ajrore, Italia Trasporto Aereo (ITA), filloi fluturimet që të nesërmen, duke përdorur disa nga avionët e Alitalia. ITA ka marrë më pak se 3.000 nga 10.000 punonjësit e Alitalia, shkruan AP.

Rreth 50 ish-stjuardesa u mblodhën në sheshin e Romës, hoqën çantat nga supet dhe hoqën ngadalë uniformat, fundet dhe takat.

Ato qëndruan për disa minuta, vetëm me të brendshme. Pastaj morën rrobat dhe këpucët e tyre dhe thirrën "Ne jemi Alitalia!"

Alitalia u themelua në vitin 1947 dhe ka qenë një markë e lidhur me rritjen ekonomike të Italisë pas luftës për dekada.

Alitalia nuk ka bërë fitim që nga viti 2002 dhe disa përpjekje shpëtimi kanë dështuar, duke përfshirë përpjekjet për të gjetur investitorë privatë, të cilat përfshinin bisedime me Delta dhe Lufthansa.

Linja ajrore u privatizua në vitin 2008, por ende kishte nevojë për ndihmë të madhe shtetërore pas kësaj. Në vitin 2017 falimentoi dhe u vendos në administrim të posaçëm. Kufizimet e udhëtimeve ajrore të lidhura me pandeminë koronavirus i kanë dhënë fund kompanisë.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat