Rritja e viktimave nga Covid-19, ky shtet mbyll shkollat dhe bizneset

Evropë

Rritja e viktimave nga Covid-19, ky shtet mbyll shkollat dhe bizneset

Më: 22 tetor 2021 Në ora: 00:40
Rusi

Restorantet, teatrot dhe shumë dyqane në Moskë do të mbyllen për 11 ditë, duke nisur nga 28 tetori, bashkë me disa masa të tjera anti-COVID, kanë bërë të ditur të enjten zyrtarë rusë.

Vendimi për mbyllje ka ardhur në kohën kur numri i të vdekurve dhe i të infektuarve si pasojë e koronavirusit është rritur ndjeshëm, duke arritur shkallën më të lartë që kur ka nisur pandemia.

Task-Forca qeveritare për koronavirus ka raportuar për 36,339 raste të reja të infektimeve e plot 1,036 të vdekur, në 24 orët e fundit. Këto shifra kanë bërë që Rusia të ketë numrin më të lartë të të vdekurve në Evropë. Numri total i të vdekurve si pasojë e COVID-19 që kur ka nisur pandemia ka arritur në 227,389.

Presidenti rus, Vladimir Putin ka shprehur shqetësimet rreth hezitimit të rusëve për tu vaksinuar, dhe ka kërkuar nga ata që të vaksinohen.

Putini i është përgjigjur numrit të lartë të infektimeve dhe vdekjeve duke urdhëruar rusët që të mos shkojnë në punë nga 30 tetori e deri më 7 nëntor.

Qendrat e fitnesit dhe ngjarjet e tjera argëtuese, ashtu sikurse edhe shumica e dyqaneve do të mbyllen në Moskë nga 28 tetori e deri më 7 nëntor, bashkë me shkollat dhe çerdhet. Restorantet dhe kafenetë do të jenë të hapura vetëm për blerjet “merr me vete”. Të vetmet që do të mbeten të hapura do të jenë dyqanet ushqimore dhe barnatoret.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat