Franca i thotë NATO-s të mos ketë frikë nga planet e mbrojtjes në BE

Evropë

Franca i thotë NATO-s të mos ketë frikë nga planet e mbrojtjes në BE

Më: 22 tetor 2021 Në ora: 15:29
Ministrja e Mbrojtjes e Francës, Florence Parly.

Ministrja e Mbrojtjes e Francës, Florence Parly, u tha homologëve të saj të NATO -s që të mos kenë frikë nga planet e Bashkimit Evropian për zhvillim e projektit të mbrojtjes.

Ajo tha se një projekt i tillë do ta forcojë aleancën e NATO-s dhe se nga ai do të përfitojnë edhe Shtetet e Bashkuara.

Komentet e saj, të bëra gjatë një takimi të ministrave të Mbrojtjes të NATO-s, synojnë t’i japin fund pasigurisë brenda NATO-s.

Ka pasur shqetësime se përpjekja e BE-së për të zhvilluar projektin e saj të mbrojtjes do të ishte një konkurrencë e NATO-s.

"Kur dëgjoj disa deklarata për mbrojtjen evropiane duke përfshirë edhe brenda kësaj organizate, u them: mos kini frikë", tha Parly.

"Mbrojtja evropiane nuk po ndërtohet në kundërshtim me NATO-n, përkundrazi: një Evropë më e fortë do të kontribuojë në një aleancë më të fuqishme", shtoi ajo.

Ministrja franceze i bëri jehonë një deklarate të lëshuar pas një takimi të presidentit amerikan, Joe Biden dhe atij francez, Emmanuel Macron në shtator dhe në të cilin thuhej se ata e "njohin rëndësinë e një mbrojtjeje më të fuqishme dhe më të aftë evropiane, që kontribuon pozitivisht në sigurinë transatlantike dhe globale".

Nga 27 shtetet anetare të BE-së, 21 janë anëtarë të NATO-s.

NATO-ja ka 30 vende anëtare, por Shtetet e Bashkuara kanë thënë prej kohësh se blloku evropian duhet të bëjë më shumë për të menaxhuar krizat në kufijtë e tij.

Në mars të vitit të ardhshëm, BE-ja synon të bjerë dakord për një dokument strategjik ushtarak për të përcaktuar kërcënimet e ardhshme, duke u fokusuar në zhvillimin e armëve së bashku, si dhe duke paraparë krijimin e një force të re ushtarake të BE-së e cila do të ndërhynte në kriza.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg i tha agjencisë Reuters muajin e kaluar se ai mbështet planet e Bashkimit Evropian për të ndërtuar një politikë të përbashkët të mbrojtjes, por ai paralajmëroi kundër çdo force reagimi të shpejtë që mund të detyronte aleatët të NATO-s të dyfishojnë operacionet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat