Vuçiq: Serbia mbështet politikën “Një Kinë”

Evropë

Vuçiq: Serbia mbështet politikën “Një Kinë”

Më: 28 tetor 2021 Në ora: 17:19
Aleksandar Vuçiq

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i tha ministrit të Punëve të Jashtme të Kinës, Wang Jiem, i cili ndodhet për vizitë dyditore në Serbi, se Beogradi e mbështet politikën “Një Kinë”.

“Faleminderit për mbështetjen e integritetit territorial të Serbisë. Ju po e bëni atë në të njëjtën mënyrë sikurse Serbia, e cila mbështet politikën e një Kine”, tha Vuçiq.

Sipas politikës “Një Kinë”, Kina kontinentale dhe Tajvani janë pjesë të patjetërsueshme të Kinës së bashkuar.

Serbia, në anën tjetër, nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, e cila është shpallur në shkurt të vitit 2008.

Vuçiq tha se Serbia nuk ka çështje të hapura me Kinën në sferën politike dhe se të dyja vendet bashkëpunojnë shkëlqyeshëm në të gjitha institucionet dhe organizatat ndërkombëtare.

“Miqësia jonë është e sinqertë, e madhe dhe nuk është çudi që shpesh e cilësojmë të çeliktë”, tha Vuçiq.

Ai tha se fakti që Kina dhe Serbia e kanë trefishuar shkëmbimin tregtar në pesë vjet, pasqyron më së miri marrëdhëniet e ndërsjella.

Serbia është pjesë e nismës shtetërore kineze “Brezi dhe Rruga”, së bashku me vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore.

Me këtë nismë është paraparë ndërtimi i tubacioneve, rrugëve dhe projekteve të tjera infrastrukturore.

Ministri i Jashtëm kinez tha se zhvillimi i bashkëpunimit është në të mirë të qytetarëve të të dyja vendeve.

“Ne jemi krenarë për zhvillimin e marrëdhënieve tona”, tha Wang.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat