Raportohet se sulmuesi i Liverpoolit ishte konvertuar nga Islami në Krishterizëm

Evropë

Raportohet se sulmuesi i Liverpoolit ishte konvertuar nga Islami në Krishterizëm

Më: 16 nëntor 2021 Në ora: 08:41
Foto

Një sulmues i dyshuar vetëvrasës e hodhi veten në erë pranë një spitali materniteti në Liverpool, duke i nxitur autoritetet britanike që ta ngrenë nivelin kombëtar të rrezikut nga terrorizmi për herë të parë në disa muaj për shkak të frikës për ndonjë sulm tjetër të mundshëm.

Policia kundër terrorizmit tha se beson fuqishëm se burri i vdekur quhej Emad al-Swealmeen, 32 vjeç. Ai udhëtoi me një taksi drejt spitalit të grave në Liverpool nga një vend që ai së fundi e kishte marrë me qira, pak kilometra më larg.

Përderisa policia tha se nuk mund të jetë e sigurt nëse spitali ka qenë cak i sulmit ose nëse pajisja plasëse ka shpërthyer para kohës, zyrtarët shëndetësorë i kanë këshilluar të gjitha spitalet që t’i rishikojnë masat e sigurisë.

Gazeta “The Guardian” merr vesh se i dyshuari më parë e kishte ndryshuar emrin, duke e bërë Enzo Almeni. Tabloidi britanik, “Daily Mail”, raportoi se ai ishte konvertuar nga Islami në Krishterizëm para pak vjetëve.

Policia e ka shpallur rastin sulm terrori dhe sekretarja e Brendshme, Priti Patel, njoftoi se do të rritet niveli i rrezikut nga terrorizmi, që do të thotë se një sulm tjetër ka shumë gjasa që të ndodhë.

Pas një takimi urgjent, Kryeministri Boris Johnson i bëri thirrje publikut që të jetë syçelë. “Ajo që na tregoi e djeshmja mbi të gjitha është që populli britanik kurrë nuk do të frikësohet nga terrorizmi”, tha ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat