Zgjedhjet në bullgari/ Radev është i favorizuar për të fituar

Evropë

Zgjedhjet në bullgari/ Radev është i favorizuar për të fituar

Më: 21 nëntor 2021 Në ora: 13:12
Një burrë voton në një qendër votimi në Sofje më 21 nëntor 2021

Në Bullgari po zhvillohet më 21 nëntor rundi i dytë i zgjedhjeve presidenciale. Presidenti aktual, Rumen Radev, po shihet se kandidati kryesor për shkak të qëndrimit të tij kundër korrupsionit. Radev nuk arriti të fitonte shumicën në votimin e rundit të parë që u zhvillua fundjavën e kaluar. Ai fitoi 49 për qind të votave krahasuar me 23 për qind sa fitoi Anastas Gerdzhikov, rektor i Universitetit të Sofjes.

Për të fituar në rundin e dytë, një kandidati i duhet vetëm një shumicë e thjeshtë votash.

Analistët thonë se megjithëse Radev, 58 vjeç, është i favorizuar për të fituar, ekziston mundësia e një rezultati befasues pasi vetëm 40 për qind e votuesve dolën në rundin e parë.

"Është thelbësore që ata që e mbështetën Radevin të mos demotivohen të dalin përsëri", i tha Radios Evropa e Lirë, Ruzha Smilova, nga Universiteti i Sofjes.

Bullgarët votuan më 14 nëntor edhe për zgjedhjen e parlamentit të ri. Ky proces zgjedhor është vlerësuar shumë i rëndësishëm pasi vendi anëtar i Bashkimit Evropian është i përfshirë në një krizë politike disamujore.

Bazuar në rezultatet e zgjedhjeve parlamentare partia e re kundër korrupsionit “Ne Vazhdojmë Ndryshimin” doli e para, e pasuar nga partia e qendrës së djathtë GERB e ish-kryeministrit, Bojko Borisov.

Partia "Ne Vazhdojmë Ndryshimin" tani është në bisedime për koalicion me dy fraksione të tjera kundër korrupsionit dhe Partinë Socialiste, të cilat mbështesin Radevin.

Gerdzhikov, 58 vjeç, mbështetet nga GERB dhe ka të ngjarë të marrë mbështetje nga aleati i asaj partie, partia turke MRF.

Presidenca e Bullgarisë ka rol kryesisht ceremonial, por Radev e ka transformuar rolin dhe ka qenë aktiv në luftën kundër korrupsionit.

Bullgaria vlerësohet të jetë rrënuar nga korrupsioni që nga përmbysja e komunizmit më shumë se tre dekada më parë.

Vazhdimisht ky vend kritikohet për korrupsion dhe liri të medias.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat