Tre parti gjermane kanë arritur një marrëveshje për formimin e një qeverie të re, që do t'i jepte fund epokës së kancelares Angela Merkel, sipas socialdemokratit Olaf Scholz, që pritet të jetë pasuesi i saj.
Zoti Scholz, tha se qeveria e re nuk do të kërkojë "emëruesin më të ulët të përbashkët, por një politikë të ndryshimeve të mëdha."
Ai e vuri theksin tek një Evropë sovrane, miqësia me Francën dhe partneriteti me Shtetet e Bashkuara, si themelet e politikës së jashtme të qeverisë, në vazhdimësi të traditës së gjatë të pasluftës.
Zoti Scholz tha se pret që anëtarët e partive të japin miratimin e tyre për marrëveshjen në 10 ditët e ardhshme.
Social-Demokratët kanë negociuar me partinë ambientaliste të të Gjelbërve dhe Demokratët e Lirë pro-biznesit, që kur fituan me epërsi të lehtë zgjedhjet më 26 shtator.
Nëse anëtarët e partisë e nënshkruajnë marrëveshjen, aleanca trepalëshe do të zëvendësojë "koalicionin e madh" aktual të partive kryesore tradicionale të vendit. Social-Demokratët e qendrës së majtë kanë shërbyer si aleati më i vogël i Kristian-Demokratëve të qendrës së djathtë të zonjës Merkel.
Kancelarja Merkel, e cila nuk kandidoi për një mandat të pestë, pritet të pasohet nga 63 vjeçari Scholz, i cili ka qenë ministër i financave dhe zëvendëskancelar që nga viti 2018.
Tri partitë e mundshme qeverisëse kanë thënë se shpresojnë që parlamenti ta miratojë zotin Scholz në postin e kancelarit në fillim të dhjetorit.
Lajmi për marrëveshjen u bë i njohur ndërsa zonja Merkel drejtonte atë që ka të ngjarë të ishte mbledhja e fundit e kabinetit të saj. Zoti Scholz i dhuroi 67 vjeçares, që drejton Gjermaninë që nga viti 2005, një buqetë me lule./VOA