1600 emigrantë të humbur në Detin Mesdhe gjatë këtij viti

Evropë

1600 emigrantë të humbur në Detin Mesdhe gjatë këtij viti

Më: 25 nëntor 2021 Në ora: 21:11
Një varkë me 99 emigrantë diktohet nga një organizatë humanitare larg bregut të Libisë (16 nëntor 2021)

Mbytja e një varke me mbi 30 persona në bord këtë javë shënoi tragjedinë më vdekjeprurëse deri më tani në Kanalin e La Manshit.

Por tragjedi të tilla me emigrantë nuk janë të pazakonta në ujërat përreth kufijve jugorë të Evropës.

Vetëm këtë vit, zyrtarët e OKB-së vlerësojnë se 1600 persona kanë vdekur ose rezultojnë të zhdukur në Detin Mesdhe, që shërben si porta kryesore hyrëse drejt Evropës për emigrantët që përpiqen të kalojnë me ndihmën e trafikantëve.

Numri i viktimave është më i lartë se vitin e kaluar, por jo i pashembullt unikal. Organizata Ndërkombëtare e Emigracionit (IOM) vlerëson se 23 mijë persona kanë humbur jetën që nga viti 2014, gjatë përpjekjes për të kaluar Mesdheun me varka të pasigurta apo gomone. Numri i viktimave arriti kulmin në vitin 2016, me mbi 5 mijë. Gjatë së njëjtës periudhe shtatë vjeçare, rreth 166 persona kanë vdekur në kanalin e La Manshit.

Javën e kaluar, 85 persona humbën jetën në dy incidente të veçanta, ndërsa përpiqeshin të arrinin në Itali nga Libia, thotë Flavio di Giacomo, zëdhënësi i IOM-it në Itali. Këto tragjedi morën pak vëmendje në Evropë.

"Mendoj se është çështje afërsie", thotë zoti di Giacomo. "Mendoj se vëmendja e medias për çfarë ndodh mes Britanisë dhe Francës është gjithashtu diçka e re. Evropa nuk është mësuar të ketë diçka të tillë në brendësi të kontinentit; zakonisht është në kufijtë e saj të jashtëm".

Këtë vit, shtegtimi më i ngarkuar dhe me më shumë viktima për të emigruar drejt Evropës është përmes Mesdheut qendror, ku njerëzit udhëtojnë me varka të mbingarkuara nga Libia dhe Tunizia, dhe ndonjëherë nga Turqia, drej Italisë. Rreth 60 mijë persona kanë mbërritur në Itali në rrugë detare këtë vit. Sipas Komisionerit të Lartë të OKB-së për Refugjatët, rreth 1200 kanë vdekur apo janë zhdukur gjatë udhëtimit.

Numri i të zhdukurve është vlerësuar bazuar në informacionin e marrë nga të mbijetuarit apo nga varkat e përmbysura.

Aktivistët për shpëtimin e emigrantëve thanë të enjten se një varkë në Mesdheun qendror me 430 persona në bord po përmbytej dhe u kërkoi ndihmë autoriteteve evropiane. Një tjetër varkë e menaxhuar nga organizata bamirëse Sea-Watch po kërkonte një port të sigurtë ku mund të zbarkonte 463 emigrantë të shpëtuar në det të hapur.

Image
Anija e organizatës Sea-Watch 3 duke mbërritur në Siçili me emigrantët e shpëtuar

Është shtuar ndërkohë trafiku edhe përgjatë një vije më të rrezikshme në Oqeanin Atlantik, ku emigrantët nisen nga Senegali, Mauritania dhe Maroku, me varka të thjeshta druri, duke shpresuar se mund të arrijnë deri në Ishujt Kanari të Spanjës. Disa nga varkat përmbyten jo larg bregut të Afrikës dhe të tjera zhduken më në thellësi. Në disa raste i humbasin krejtësisht Ishujt Kanari dhe vazhdojnë më në thellësi të Oqeanit Atlantik.

"Udhëtimi nga Afrika perëndimore është shumë i gjatë dhe shumë i rrezikshëm", thotë zoti di Giacomo.

IOM-i ka regjistruar 900 vdekje përgjatë vijës për në Ishujt Kanari gjatë këtij viti, thotë ai, por numri i vërtetë mund të jetë dyfish "dhe askush nuk po i kushton shumë vëmendje".

Rreth 400 persona u shpëtuan këtë javë, ndërsa përpiqeshin të arrinin tek këta ishuj.

Grupet e të drejtave të njeriut i kritikojnë shpesh qeveritë evropiane se nuk kanë bërë më shumë për të shpëtuar emigrantët që përpiqen të arrijnë në kontinent me mjete detare në gjendje të dobët lundrimi. Përpjekjet evropiane për shpëtimin, të udhëhequra nga Italia në Detin Mesdhe, u pakësuan disa vite më parë dhe theksi u vu tek trajnimi dhe paisjet për rojen bregdetare libiane që do të pikaste varkat me emigrantë përpara se ato të mbërrinin në ujërat evropiane. Kritikët thonë se Evropa po e mbyll njërin sy përballë abuzimeve me të drejtat e njeriut në qendrat e mbajtjes së emigrantëve në Libi.

Duke vënë në dukje se 9 nga 10 emigrantë janë larguar drejt vendeve fqinje, Carlotta Sami nga zyra e UNHCR-së në Itali thotë se agjensia po u kërkon qeverive të vendeve të Bashkimit Evropian që t'u ofrojnë "kalimin e sigurtë" refugjatëve, "me qëllim uljen e numrit të personave që përpiqen t'i hyjnë këtij udhëtimi jashtëzakonisht të rrezikshëm"./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat