Detajet e reja/ Shpërthen bomba e Luftës së Dytë Botërore, plagosen katër persona në Mynih

Evropë

Detajet e reja/ Shpërthen bomba e Luftës së Dytë Botërore, plagosen katër persona në Mynih

Më: 1 dhjetor 2021 Në ora: 19:21
Shpërthen bomba e Luftës së Dytë Botërore në Mynih

Katër persona u plagosën, njëri prej të cilëve në gjendje të rëndë, kur një bombë e Luftës së Dytë Botërore shpërtheu në një kantier ndërtimi hekurudhor në qytetin gjerman të Mynihut.

Autoritetet thanë se ngjarja ndodhi gjatë punimeve të shpimit pranë urës Donnersberger, afër stacionit kryesor. Si rezultat, trafiku hekurudhor në pjesën më të madhe të Mynihut u ndal.

Bombat e pashpërthyera të kohës së luftës gjenden shpesh në Gjermani dhe nxisin evakuime të mëdha, por shumica çaktivizohen nga ekspertët pa shpërthyer.

Policia thotë se bomba shpërtheu gjatë punimeve të tunelit pranë urës. Raportet lokale përshkruan një zhurmë të fortë të ndjekur nga një shtëllungë tymi që shpërtheu në ajër. Nga forca e shpërthimit një ekskavator është përmbysur.

Shërbimet e urgjencës nxituan në zonë dhe ekspertët e asgjësimit të bombave ishin me shpejtësi në vendngjarje duke ekzaminuar mbetjet e saj. Operatori hekurudhor Deutsche Bahn pezulloi udhëtimin për në stacionin qendror të Mynihut, por policia tha se disa linja në distanca të gjata tashmë ishin kthyer në shërbim.

Ministri i Brendshëm bavarez Joachim Hermann tha se "bomba" peshonte rreth 250 kg. Nuk është e panjohur që qytete të tëra të evakuohen si përgjigje ndaj zbulimit të bombave të Luftës së Dytë Botërore, të hedhura zakonisht nga forcat britanike dhe amerikane. Projektet e mëdha të ndërtimit në qendër të Mynihut zakonisht marrin kujdes të konsiderueshëm në kontrollin e mjeteve luftarake të kohës së luftës.

"Duhet të hetohet pse askush nuk e ka parë këtë bombë më herët", tha zoti Herrmann për mediat gjermane.

Shtatëdhjetë mijë njerëz u detyruan të linin shtëpitë e tyre në Frankfurt në vitin 2017 kur u zbulua një bombë britanike "Blockbuster" 1.4 ton.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat