Vaksinimi i detyrueshëm në Greqi/ Mitsotakis: Kushtetuta na detyron të mbrojmë qytetarët

Evropë

Vaksinimi i detyrueshëm në Greqi/ Mitsotakis: Kushtetuta na detyron të mbrojmë qytetarët

Më: 8 dhjetor 2021 Në ora: 07:04
Kyriakos Mitsotakis

Në një intervistë për CNN dhe gazetaren e njohur Kristian Amanpur kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis ka mbrojtur vendimin e tij për vaksinimin e detyrueshëm të personave mbi 60 vjeç duke theksuar se nuk kishte tjetër zgjidhje.

Z. Mitsotakis shpjegoi parametrat që e bënë të nevojshme futjen e kësaj mase me gjobë 100 euro për ata që nuk e zbatojnë, pasi numri i të pavaksinuarve mbi 60 vjeç shkonte në mbi 17% dhe shumica e kësaj grupmoshe mbush dhomat e intubimit dhe ka vdekshmërinë më të madhe nga koronavirusi.

Prej asaj dite ka thënë Mitsotakis ka një rritje të madhe të personave që kanë mbyllur takimin për të kryer vaksinimet dhe kjo vërehet edhe në shifrat që publikuan autoritetet mjekësore sipas të cilave janë mbyllur 150000 vaksinime me dozën e parë, 67000 prej tyre u takojnë personave mbi 60 vjeç. Ndërsa të hënën Greqia regjistroi 116 humbje jete, shifra e dyte më e larte gjatë këtij viti dhe e treta prej fillimit të pandemisë ,specialistët paralajmërojnë se vetëm vaksinimi do të ndalë që të ketë mbi 100 vdekje çdo ditë deri sa të arrihet i ashtëquajturi “muri” i imunitetit.

“Sipas Kushtetutës sonë, ne duhet të marrim masa në mënyrë progresive. Dhe sigurisht, vaksinimi i detyrueshëm është masa përfundimtare që mund të marrim. Tashmë kemi vendosur vaksinime të detyrueshme për personelin mjekësor dhe po e zgjerojmë këtë masë edhe për personat e moshës 60 vjeç e lart. Dua të theksoj se jemi vendi i dytë evropian që e bëjmë këtë. Nuk do të habitem, nëse vendet e tjera evropiane ndjekin këtë rrugë. Presidentja e BE ka deklaruar se duhet të diskutohet për vaksinimin e detyrueshëm”- tha Mitsotakis, kryeministër i Greqisë.

E vetmja mënyrë që të mbajmë të hapur ekonominë tonë, bizneset dhe shoqërinë është të vaksinohemi ka përfunduar intervistën e tij kreu i qeverisë greke. Komisioni i pandemisë në Greqi ka njoftuar se në datën 15 dhjetor nis edhe vaksinimi kundër koronavirusit për fëmijët nga 5-11 vjeç, ndërsa statistikat tregojnë se 25% e rasteve të përditshme të infektimeve me COVID-19 i përkasin kësaj grupmoshe dhe adoleshentëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat