Turqi, refugjatët afganë pa dokumente dhe mungesa e qasjes tek shërbimet shëndetësore

Evropë

Turqi, refugjatët afganë pa dokumente dhe mungesa e qasjes tek shërbimet shëndetësore

Më: 16 janar 2022 Në ora: 20:47
Refugjatët afganë në Turqi

Emigrantët afganë pa dokumente, të cilët u zhvendosën në Turqi për të shpëtuar nga talebanët, thonë se nuk kanë qasje tek trajtimi shëndetësor apo vaksinat kundër COVID-19-s. Refugjatët e regjistruar kualifikohen për t’i marrë këto shërbime, por besohet se në këtë vend ka me mijëra emigrantë afganë të paregjistruar.

Qyteti Erzurum, që shtrihet në pjesën qendrore të Turqisë është një nga pikat kryesore të emigrantëve që udhëtojnë drejt perëndimit për në Evropë.

Ai është gjithaq dhe një ndalesë për shumë refugjatë afganë. Disa vendosin të qëndrojnë e të gjejnë punë.

Sipas shifrave të Kombeve të Bashkuara, Turqia strehon 183,000 azilkërkues afganë. Por të dhënat jozyrtare sugjerojnë se mijëra emigrantë të tjerë afganë janë pa dokumente. Ata jetojnë dhe punojnë në Turqi të injoruar në pamundësi për të siguruar qasje tek shërbimet bazë, siç është kujdesi shëndetësor.

Muhamedi është një prej tyre.

“Unë jam nga provinca Badakhshan e Afganistanit. Kam ardhur në Turqi para dy muajsh, jam 18 vjeç. Nuk kam kartë identiteti, ndaj dhe spitalet nuk më marrin përsipër të më trajtojnë”, thotë ai.

Muhamedi punon në Erzurum në një kompani që tregton qumësht, së bashku me disa emigrantë të tjerë afganë, sikurse Islami.

“Jemi tetë ose nëntë vetë që jetojmë në këtë dhomë, pesë kanë letërnjoftime, ndërsa pjesa tjetër jo. Nëse ndonjë nga ata që nuk kanë letërnjoftime infektohet me koronavirus, spitalet nuk i trajtojnë. Ata nuk mund të bëjnë as vaksina. Nëse infektohen me koronavirus, të gjithë ne do të infektohemi”.

Disa emigrantë thonë për ‘Zërin e Amerikës’ se ata zgjedhin të mos regjistrohen zyrtarisht si refugjatë, nga frika e arrestimit dhe dëbimit. Shumë thonë se statusi i refugjatëve afganë mbetet i paqartë ndaj dhe u nevojiten sqarime nga qeveria turke.

Turqia ka përforcuar sigurinë kufitare dhe shumë emigrantë afganë i mban të ndaluar në qendrat e dëbimit.

Qeveria turke nuk iu përgjigj pyetjeve të Zërit të Amerikës mbi numrin e emigrantëve afganë padokumente apo pamundësinë e tyre për të siguruar qasje tek shërbimet e kujdesit shëndetësor. Autoritetet e qytetit Erzurum thonë se çdo refugjat i paregjistruar do të arrestohej.

Sipas Kombeve të Bashkuara Turqia strehon rreth 4 milionë refugjatë, 3.7 milionë prej të cilëve janë sirianë, të cilët janë larguar nga konflikti.

Gjatë një vizite në Turqi në muajin shtator, komisioneri i lartë i Kombeve të Bashkuara për refugjatët vlerësoi qeverinë rreth atyre që ai i quajti politika "jashtëzakonisht pozitive" ndaj migrantëve.

"Vizita ime këtu është gjithashtu për t'i bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar, vendeve donatore, organizatave ndërkombëtare që të bëjnë më shumë për të ndihmuar Turqinë që të ruajë këto politika shumë bujare për refugjatët që ajo strehon", thotë Filippo Grandi, Komisioneri i Lartë i Kombeve të Bashkuara për Refugjatët.

Shumë afganë thonë se statusi i tyre si refugjatë mbetet i paqartë, ndaj ata preferojnë të jetojnë të fshehur, ndërsa përpiqen të ndërtojnë një jetë të re./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat