Toqaev: Hendeku mes të pasurve dhe të varfërve shkaktoi protestat vdekjeprurëse

Evropë

Toqaev: Hendeku mes të pasurve dhe të varfërve shkaktoi protestat vdekjeprurëse

Më: 21 janar 2022 Në ora: 12:07
Presidenti i Kazakistanit, Qasym-Zhomart Toqaev. Foto ilustruese.

Presidenti i Kazakistanit, Qasym-Zhomart Toqaev, thotë se një “hendek i papranueshëm” mes të pasurve dhe të varfërve çoi në protesta vdekjeprurëse antiqeveritare që tronditën vendin e Azisë Qendrore në fillim të janarit.

Të premten më 21 janar, Toaqev tha se nevojiten “reforma reale” për të adresuar problemet e ngritura nga disa prej protestuesve.

Duke folur me përfaqësuesit e bizneseve kryesore të vendit të pasur me naftë, ai tha se “hendeku midis agjendës së deklaruar social-ekonomike dhe situatës reale ka arritur një masë kritike dhe ajo që duhet bërë tani është një rivendosje e plotë e politikës ekonomike”.

“Me korrupsionin që tashmë dihet nga të gjithë, dallimet në të ardhura luajtën rolin e një shkrepëse të ndezuar pranë një fuçie baruti dhe situata u përdor nga terroristët, individët e armatosur dhe organizatorët e protestave”, tha Toqaev, duke shtuar se ai tashmë ka marrë vendime të vështira dhe se vendime të tilla të vështira do të merr edhe në të ardhmen.

Protestat e fillimit të janarit në qytetin Zhanaozen, për rritjen e papritur të çmimit të karburantit, u përhapën shpejt në të gjithë Kazakistanin dhe çuan në përleshje të dhunshme në qytetin më të madh të vendit, Almaty dhe gjetkë.

Pjesa më e madhe e zemërimit të protestuesve ishte kundër paraardhësit të Toqaev, Nursultan Nazarbaev, i cili kishte sunduar Kazakistanin që nga viti 1989.

Autoritetet kazake thonë se 227 njerëz u vranë gjatë trazirave, duke përfshirë 19 oficerë të zbatimit dhe 12,000 të tjerë u arrestuan.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat