Kievi: Rusia po rrit përfshirjen ushtarake në lindje të Ukrainës

Evropë

Kievi: Rusia po rrit përfshirjen ushtarake në lindje të Ukrainës

Më: 22 janar 2022 Në ora: 12:08
Foto ilustrim

Inteligjenca ushtarake ukrainase tha se Rusia në javët e fundit ka rritur mbështetjen e saj ushtarake për formacionet separatiste në lindje të Ukrainës. Inteligjenca tha po ashtu se “rekrutimi aktiv i mercenarëve” po ashtu është rritur në periudhën e fundit.

Në një deklaratë të publikuar në Facebook, agjencia e inteligjencës tha se javët e fundit mbi 7,000 tonë karburante, tanke, artileri vetëlëvizëse dhe armë të tjerë janë dërguar nga Rusia në Ukrainë.

Moska mohon se është e përfshirë ushtarakisht në luftën në lindje të Ukrainës, pavarësisht se të dhënat të besueshme tregojnë se ajo ofron mbështetje ushtarake, ekonomike dhe politike për formacionet separatiste që kontrollojnë pjesë të rajoneve ukrainase Luhansk dhe Donetsk, që prej se konflikti nisi në fillim të vitit 2014.

Në deklaratën e inteligjencës ushtarake ukrainase po ashtu u tha se qendrat e rekrutimit në Rusi kanë shtuar përpjekjet për rekrutimin e mercenarëve për të luftuar në lindje të Ukrainës.

Këto pretendime të Ukrainës vijnë në kohën kur Rusia ka grumbulluar ushtrinë përgjatë kufirit me Ukrainën dhe në rajonin e okupuar ukrainas të Krimesë. Autoritetet në Kiev dhe qeveritë perëndimore kanë thënë se Moska mund të jetë duke u përgatitur që ta pushtojë Ukrainën, akuza këto që Kremlini i hedhë poshtë.

Diplomatët e Shteteve të Bashkuara, Gjermanisë, Francës dhe Mbretërisë së Bashkuar u takuan në Berlin më 20 janar dhe paralajmëruan Moskën për “përgjigje të ashpër” dhe “pasoja të rënda” nëse përshkallëzon edhe më shumë konfliktin./REL

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat