Gazetarja turke burgoset para gjykimit për fyerje të Erdoganit

Evropë

Gazetarja turke burgoset para gjykimit për fyerje të Erdoganit

Më: 23 janar 2022 Në ora: 19:33
Sedef Kabas

Një gazetare e njohur turke është burgosur në pritje të një procedimi gjyqësor për fyerje të Presidentit Recep Tayyip Erdogan, bëri të ditur avokati i saj.

Sedef Kabas u arrestua pasi citoi një fjalë të urtë në një kanal televiziv dhe median sociale, duke i referuar një kau. Bazuar në ligjin mbi fyerjet, me dhjetëra mijëra vetë janë ndjekur penalisht për vendosjen në shënjestër të zotit Erdogan, që kur ai u bë president në vitin 2014, pas më shumë se një dekade si kryeministër.

Avokati i gazetares, Ugur Poyraz, shkruante në Twitter se ajo ishte arrestuar zyrtarisht gjatë një paraqitjeje në gjykatë në Stamboll të shtunën. Gjyqtari pranoi argumentin e prokurorisë se gazetarja paraqiste rrezik për t'u larguar nga vendi.

Sedef Kabas, 53 vjeç, ka drejtuar një seri programesh shumë të njohura televizive gjatë një karriere rreth 30 vjeçare.

Ajo u ndalua nga policia në shtëpinë e saj në Stamboll, të shtunën herët në mëngjes pas komenteve të saj në televizionin Tele 1 dhe Twitter.

Figura të qeverisë e dënuan zonjën Kabas, ndërsa politikanët e opozitës mbrojtën të drejtën e saj për të folur lirisht.

“Fyerja e presidentit të zgjedhur të kombit tonë, me shprehje të shëmtuara e vulgare, është në fakt një sulm ndaj vendosmërisë kombëtare”, shkruante në Twitter Numan Kurtulmus, nënkryetar i partisë në pushtet.

Kryetarja e partisë opozitare, Meral Aksener, përdori një hashtag në mbështetje të gazetares Kabas. "Kjo mendësi do të iki dhe drejtësia do të vendoset sërish në Turqi", shkruante ajo.

Fyerjet ndaj presidentit janë shkelje që mund të çojnë në një dënim maksimal prej katër vitesh burg.

Sipas shifrave të Ministrisë së Drejtësisë që nga viti 2014, janë ngritur më shumë se 35,500 padi për fyerje të zotit Erdogan, duke rezultuar në rreth 13,000 dënime.

Turqia ndodhen nën trysni ndërkombëtare për të ndryshuar ligjin. Në tetor, Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut tha pas arrestimit të një personi në vitin 2017, bazuar në ligjin e fyerjeve, se autoritetet kishin shkelur lirinë tij të shprehjes./VOA

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat