​Kriza në Ukrainë, Borrell: Po shqyrtojmë të gjitha opsionet dhe skenarët

Evropë

​Kriza në Ukrainë, Borrell: Po shqyrtojmë të gjitha opsionet dhe skenarët

Më: 30 janar 2022 Në ora: 18:48
Josep Borrell

Shefi i diplomacisë evropiane Josep Borrell paralajmëroi sot se BE-ja do të vazhdojë t'i përmbahet "rrugës së dyfishtë", diplomacisë dhe parandalimit, kur bëhet fjalë për krizën ukrainase.

Në blogun e tij të fundit, Borrell tha se Rusia vazhdon të grumbullojë ushtrinë në kufi me Ukrainën, duke përfshirë përgatitjet për stërvitjet ushtarake në Bjellorusi dhe stërvitjet detare brenda Rusisë, dhe se BE-ja është e bashkuar në kundërshtimin e përpjekjes së Moskës që të krijojnë vija ndarëse në Evropë.

“Ata sjellin kujtime të “sferave të ndikimit” që nuk i përkasin shekullit të 21-të. Ne nuk mund dhe nuk do ta pranojmë këtë. Përballë këtyre sfidave, uniteti ynë është forca jonë kryesore dhe të gjithë në BE e kuptojnë këtë”, ka shkruar ai.

Borrell tha se BE-ja po bashkëpunon ngushtë me Shtetet e Bashkuara dhe NATO-n kur bëhet fjalë për hapat për zgjidhjen e krizës së sigurisë në Evropën Lindore.

“Ukraina është partneri dhe fqinji ynë, dhe siguria e Ukrainës është gjithashtu siguria jonë”, tha ai.

Kreu i diplomacisë së BE-së shton se në kuadër të koordinimit të ngushtë transatlantik, SHBA-ja dhe NATO-ja dërguan përgjigjet e tyre me shkrim për kërkesat e Rusisë, të cilat ritheksojnë shqetësimin për veprimet ruse që minojnë sigurinë evropiane dhe bëjnë propozime për zona ku mund të gjendet një gjuhë e përbashkët.

“Unë i mirëpres propozimet e Shteteve të Bashkuara dhe NATO-s, ato kanë potencialin, nëse negociohen me mirëbesim, të përmirësojnë sigurinë në Evropë dhe në të njëjtën kohë të adresojnë shqetësimet e Rusisë përmes detyrimeve reciproke. Këto përgjigje theksojnë se SHBA, NATO dhe BE preferojnë diplomacinë dhe se ne jemi të gatshëm të ecim përpara nëse Rusia de-përshkallëzon agresionin kundër Ukrainës dhe i qaset bisedimeve të sigurisë në Evropë në mënyrë të balancuar dhe reciproke”, tha Borrell.

Ai vlerëson se për momentin “Rusia po bën një luftë nervash”, dhe se BE-ja “duhet të përmbahet” dhe të këmbëngulë për diplomaci.

“Duhet të jemi gati në rast se diplomacia dështon. Ne po shqyrtojmë të gjitha opsionet dhe skenarët, duke përfshirë punën me partnerë, si Shtetet e Bashkuara, Katari dhe Azerbajxhani, për çështjen e furnizimit me gaz në rast se Rusia vendos të reduktojë ose ndalojë furnizimet”, tha Borrell.

Ai thekson se po merren parasysh edhe masat që do të shkaktonin “kosto të mëdha për ekonominë dhe sistemin financiar rus”, duke përfshirë “kontrollin e eksportit të produkteve që i nevojiten Rusisë për të përmbushur ambiciet e saj strategjike”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat