Rusia zgjeron sulmet në Ukrainë, raportohet për viktima - Britania lëshon alarmin

Evropë

Rusia zgjeron sulmet në Ukrainë, raportohet për viktima - Britania lëshon alarmin

Nga: Bota sot Më: 13 mars 2022 Në ora: 07:36
Pamje nga lufta në Ukrainë

(E plotësuar 15:38) - OKB: Mbi 2.6 milionë persona janë larguar nga Ukraina

Kombet e Bashkuara thanë të dielën se ka arritur në pothuajse në 2.7 milionë numri i refugjatëve që janë larguar nga Ukraina qëkur presidenti rus, Vladimir Putin, urdhëroi nisjen e pushtimit të shtetit fqinj më 24 shkurt.

Komisionari i Lartë për Refugjatë i OKB-së tha se 2,698,280 refugjatë janë larguar nga Ukraina deri më tani.

Kjo shifër paraqet rritje prej 100,700 krahasuar me një ditë më parë.

Shefi i Agjencisë për Refugjatë i OKB-së, Filippo Grandi, ka thënë se ky është eksodi më i madh i refugjatëve në Evropë që prej Luftës së Dytë Botërore.

Katër milionë persona mund të largohen nga Ukraina për shkak të dhunës, ka vlerësuar OKB-së. Por, sipas Agjencisë për Refugjatë (UNHCR), ky numër mund të rritet.

Polonia aktualisht ka pranuar mbi gjysmën e refugjatëve, apo 1,655,503 kanë hyrë në këtë shtet që prej nisjes së pushtimit, ka thënë UNHCR.

 Zhvillimet e ditës së 18-të të luftës në Ukrainë 

Në ditën e 18-të të pushtimit rus, luftimet janë duke vazhduar në pjesë të ndryshme të Ukrainës.

-Një gazetar amerikan është qëlluar për vdekje dhe një tjetër është plagosur në Irpin, në veri të Kievit, kanë raportuar disa media. Gazetarët e agjencisë së lajmeve, AFP në Irpin e kanë identifikuar viktimën si Brent Renaud, fotograf dhe regjisor, i cili ka kontribuar për të përditshmen amerikane, New York Times në të kaluarën

-Sulmet e Rusisë kanë pasur shënjestër perëndimin e Ukrainës. Disa raketa ruse kanë rënë në bazën ushtarake në Javoriv, afër kufirit me Poloninë, duke lënë të vdekur 35 persona

-Kryetari i qytetit tjetër perëndimor, Ivano-Franvisk, ka thënë se trupat ruse po vazhdojnë të sulmojnë aeroportin. Në Lviv – qytet ku janë strehuar ukrainasit e larguar nga qytetet tjera – janë dëgjuar sirenat ajrore

-Luftime tjera ka edhe në veri të kryeqytetit ukrainas, Kiev, i cili bëhet gati për ndonjë rrethim të mundshëm të forcave ruse

-Në Çernihiv, të paktën një person është vrarë pasi një ndërtesë banimi është shkatërruar tërësisht nga forcat ruse, kanë thënë autoritetet

-Në lindje të Ukrainës, trupat ruse po tentojnë të rrethojnë forcat ukrainase, teksa avancojnë në Mariupol dhe Harkiv, ka thënë inteligjenca britanike

-Në shumë vende të Evropës po protestohet sërish kundër luftës në Ukrainë. Protesta po mbahen edhe në Rusi, ndonëse ato po shtypen nga autoritetet.

Zjarrfikësit shpëtojnë banorët nga ndërtesat e djegura në Çernihiv

Në një video të publikuar nga Shërbimi Shtetëror i Emergjencës së Ukrainë, shihet sesi ekipet e zjarrfikësve tentojnë të shuajnë zjarrin.

Ata tentojnë të shpëtojnë banorët nga ndërtesat në Çernihiv, përmes daljeve të improvizuara.

Lokacioni i videos është verifikuar nga ndërtesat, përfshirë ato që kanë qenë duke u ndërtuar para luftës, të cilat janë përputhur me pamjet satelitore.​

Pamjet janë publikuar sot më 13 mars.

Putini i frustruar kërcënon me armë bërthamor, SHBA nuk ndryshon qëndrim 

Këshilltari amerikan për sigurinë kombëtare, Jake Sullivan i tha CNN të dielën se administrata Biden është "e shqetësuar për mundësinë e përshkallëzimit", në lidhje me qëndrimin bërthamor të presidentit rus Vladimir Putin, mirëpo "ne nuk kemi parë asgjë që do të ndikonte që ne të ndryshonim qëndrimin tonë bërthamor."

"Ne po e shikojmë këtë jashtëzakonisht nga afër, dhe padyshim, rreziku i përshkallëzimit me një fuqi bërthamore është i rëndë dhe është një lloj konflikti i ndryshëm nga konfliktet e tjera që populli amerikan ka parë gjatë viteve të fundit," i tha Sullivan CNN, përcjell "Bota sot".

"Dhe presidenti amerikan, Joe Biden, duhet ta marrë këtë përgjegjësi jashtëzakonisht seriozisht, edhe pse ne i dyfishojmë përpjekjet tona për të mbështetur ukrainasit. Siç janë gjërat sot, Shtetet e Bashkuara po monitorojmë ditë pas dite, orë pas ore, sepse është një përparësi kryesore për Presidentin.”

Ai tha gjithashtu se sulmet ruse në Lviv, afërsisht 12 milje nga kufiri i Ukrainës me Poloninë, janë një shenjë se Putini "është i frustruar nga fakti se forcat e tij nuk po bëjnë atë lloj përparimi që ai mendonte se do të bënin kundër qyteteve të mëdha, duke përfshirë Kievin.”

Shikoni si kanë përfunduar tanket ruse në Ukrainë, si po e pëson agresori

Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës, ka publikuar pamje të reja se si po e pëson agresori rus në territorin e tyre.

Në pamjet e publikuara, shihen disa tanke të shkatërruara, të cilat janë shkatërruar nga ushtarët ukrainas në rajonin e Chernihiv, përcjell Bota sot.

"Njësitë ushtarake dhe njësitë e Komandës Operative "Veriu" vazhdojnë të kryejnë me sukses detyrat e tyre për të mbrojtur tokën tonë të lindjes, Chernihiv, nga rusët.

Këtë herë pa fat njësia e tankeve ruse, e cila synonte të kalonte përmes mbrojtësve tanë dhe të lëvizte drejt kryeqytetit të Ukrainës.

#stoprusia", shkruhet në postimin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Ukrainës, në Facebook.

Image
Pamjet e tankeve të shkatërruara ruse

Qytetarët e Lvivit luten ndërsa lufta i afrohet qytetit historik

Në një kishë katolike greke ukrainase në Lviv, vetëm 80 km nga Polonia, qindra faltorë mblidhen për të kujtuar të rënët, shkruan BBC transmeton "Bota sot". Vetëm dy javë pas kësaj lufte, presidenti i Ukrainës thotë se më shumë se 1300 ushtarë ukrainas janë vrarë.

Sirenat e sulmit ajror ndërpresin shërbimin, por shumë prej besimtarëve që janë mbledhur mëngjesin e kësaj të diele vazhdojnë të luten. Të tjerë vrapojnë poshtë në kriptën e kishës, e cila tani shërben edhe si bunker nga bombardimet e mundshme ruse.

Konflikti ndihet sikur po afrohet rrezikshëm me këtë pjesë të vendit, e cila është kthyer në një vend të shenjtë dhe një stacion kalimi për në Evropë për dhjetëra mijëra njerëz që ikin nga luftimet që kanë tronditur veriun, lindjen dhe jugun e Ukrainës.

Image
Pamje nga kisha katolike greke ukrainase në Lviv

Qytetarët e Lvivit  thonë, megjithëse bazat ushtarake rreth tyre po shënjestrohen gjithnjë e më shumë nga raketat ruse, ata shpresojnë se qyteti i tyre - një vend i trashëgimisë botërore të UNESCO-s - do të kursehet nga shkatërrimi siç ishte, për mrekulli, gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Por ata gjithashtu nuk kanë iluzione për potencialin për dhunë katastrofike dhe thonë se po përgatiten veten nëse lufta arrin në pragun e tyre.

Zhvillime pozitive, paralajmërohet arritja e një marrëveshjeje mes Ukrainës dhe Rusisë

Bisedimet Ukrainë-Rusi kanë bërë "përparim thelbësor" dhe marrëveshja midis dy palëve mund të bëhet së shpejti", shkruan Sky News, përcjell “Bota sot”.

Një delegat rus ka njoftuar se ka një përparim në bisedimet me Ukrainën dhe se të dy palët mund të jenë në gjendje të arrijnë një pozicion të përbashkët "së shpejti".

Vritet gazetari i New York Times në Ukrainë (+18)

Gazetarët janë duke e luajtur një rol të rëndësishëm në luftën që po zhvillohet në Ukrainë.

Shumë gazetarë kanë udhëtuar për në zonat e luftës, pamarre parasysh rrezikun, shkrun “Bota sot”.

I tillë është edhe rasti gazetarit të New York Times, Brent Renaud.

Fatkeqësisht ai ka humbur jetën gjatë raportimin në Ukrainë.

Lajmin e kanë bërë të ditur për media Departamenti i Policisë së Ukrainës.

Ndërkaq, mësohet se edhe një reporter tjetër është plagosur, por nuk është bërë I ditur identiteti I tij.

***

Protesta kundër luftës në Rusi

Protesta kundër luftës janë duke u zhvilluar sërish në shumë vende të botës, përfshirë Rusinë – ku kritiku i burgosur i Kremlinit, Aleksei Navalny u ka bërë thirrje njerëzve që të dalin kundër presidentit rus, Vladimir Putin dhe pushtimit në Ukrainë.

Policia ka arrestuar disa persona në Sheshin Manezhnaya në qendër të Moskës.

Mes kritikash Serbia merr këtë vendim për Moskë

Presidenti i Serbisë thotë se AirSerbia do të kthehet regjimit me një fluturim në ditë për në Moskë, një vendim që vjen pas kritikave se kompania kombëtare serbe po i kundërvihet një ndalimi të gjerë nga ana e Bashkimit Evropian ndaj avionëve rusë e po përfiton nga lufta në Ukrainë.

Që nga fillimi i sulmit mbi dy javë më parë, AirSerbia ka dyfishuar numrin e fluturimeve drejt kryeqytetit rus duke vendosur në dispozicion avionë më të mëdhenj drejt atij që është bërë destinacioni i saj më fitimprurës.

Përveç disa transportuesve turq, linja ajrore e Serbisë është e vetmja kompani evropiane që vazhdon me fluturimet drejt Rusisë që nga shpallja e ndalimit të fluturimeve ndërkombëtare lidhur me sulmin në Ukrainë.

Vendimi i autoriteteve serbe shkaktoi kritika si nga Bashkimi Evropian ashtu edhe nga Ukraina./VOA

 “Z” – Simboli i luftës së Putinit në Ukrainë

E vendosur në tanke, në bluza, e vizatuar në mure ndërtesash e në shumë vende të tjera, shkronja 'Z' është shndërruar në simbolin e luftës së Rusisë në Ukrainë, që nisi më 24 shkurt.

Fillimisht, simboli 'Z' u pa në tanket që ishin nisur drejt kufirit të Ukrainës, disa ditë para se presidenti rus, Vladimir Putin, të urdhëronte pushtimin e shtetit fqinj.

Ky simbol shpejt u shndërrua në simbol për mbështetjen e luftës së Putinit në Ukrainë dhe është parë e vizatuar edhe në ndërtesa të ndryshme në Komunën e Mitrovicës së Veriut, të banuar me shumicë serbe, në protestat në mbështetje të Putinit në Beograd, e në shumë vende të tjera.

Shkrimin e plotë mund ta lexoni duke klikuar këtu.

Zjarrfikësit shpëtojnë banorët nga ndërtesat e djegura në Çernihiv

Në një video të publikuar nga Shërbimi Shtetëror i Emergjencës së Ukrainë, më 13 mars, shihet sesi ekipet e zjarrfikësve tentojnë të shuajnë zjarrin dhe të shpëtojnë banorët nga ndërtesat në Çernihiv, përmes daljeve të improvizuara.

Lokacioni i videos është verifikuar nga ndërtesat, përfshirë ato që kanë qenë duke u ndërtuar para luftës, të cilat janë përputhur me pamjet satelitore.​

Gati 125 mijë njerëz u evakuuan përmes korridoreve humanitare ukrainase

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy ka thënë se pothuajse 125 mijë njerëz janë evakuuar nga zonat e konfliktit përmes korridoreve humanitare.

Në një adresë video të dielën ai tha se prioriteti ishte Mariupol, ku 400 mijë njerëz janë të bllokuar dhe uji dhe ushqimi kanë mbaruar.

Ai tha se një kolonë furnizimesh humanitare ishte vetëm 80 km larg nga qyteti port dhe mund të mbërrinte brenda dy orësh.

Papa Françesku: Ndaleni masakrën

Papa Françesku ka dënuar ashpër sulmin rus në Ukrainë.

“Në emër të Zotit, le të dëgjohet britma e njerëzve që po vuajnë dhe le të ndalen bombardimet e sulmet”, ka thënë ai në lutjet e së dielës në Vatikan.

“Në emër të Zotit, po ju lus të ndalni këtë masakër”.

Bombardimi i spitaleve të fëmijëve dhe shënjestrimi i civilëve është gjë “barbare” dhe “nuk ka arsye valide strategjike”, ka thënë Papa.

 India bart përkohësisht ambasadën nga Ukraina në Poloni

India ka vendosur të ndërrojë përkohësisht lokacionin e ambasadës që ka në Ukrainë, duke dërguar stafin e saj në Poloni.

Ministria e Punëve të Jashtme ka thënë përmes një deklarate se vendimi për të bartur ambasadën nga Kievi, është marrë pas përkeqësimit të situatës në Ukrainë.

“Situata do të rivlerësohet pas zhvillimeve tjera”, është thënë në deklaratë.

Më herët gjatë këtij muaji, Qeveria e Ukrainës ka thënë se ka ndihmuar në evakuimin e 20,000 studentëve indianë nga zonat e sulmuara prej forcave ruse, ndonëse ende disa janë të bllokuar.

Kryeministri indian, Narendra Modi i ka bërë thirrje presidentit rus, Vladimir Putin që të zhvillojë bisedime të drejtpërdrejta me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, sipas një burimi të Qeverisë indiane, transmeton agjencia e lajmeve, Reuters.

Rusia - një kundërshtare që rriti ndjeshmërinë për refugjatë

Vendet që në të kaluarën i kanë refuzuar azilkërkuesit, i kanë hapur dyert për refugjatët ukrainas për dy arsye: e para, afërsia kulturore dhe shoqërore, dhe e dyta, vetë Rusia. Kështu thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë Jacob Kurtzer, drejtor i Agjendës Humanitare pranë Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare.

Sipas tij, vendet që mirëpresin sot refugjatët ukrainas, e kanë përvojën e përballjes me agresionin rus.

Lexojeni intervistën e plotë këtu.

Rreth një milion njerëz mbetën pa gaz dhe ngrohje në Ukrainë

Rreth një milion njerëz janë pa gaz dhe ngrohje në Ukrainë në mes të pushtimit në vazhdim, sipas ofruesit të sistemit të transmetimit të gazit të vendit.

GTSOU tha që punëtorët e saj po përpiqeshin të rregullonin dëmet e shkaktuara nga granatimet dhe të rivendosnin furnizimet.

Granatimet kanë dëmtuar infrastrukturën në Donetsk, Luhansk dhe Mykolaiv. Inxhinierët u ndaluan të shkonin në një qendër të shpërndarjes së gazit në Bashtanka për shkak të luftimeve të vazhdueshme. Një qendër në Prybuzke u mbyll për shkak të dëmtimit të pajisjeve.

Çfarë duhet të dini rreth luftës në Ukrainë?

Ukraina ka thënë se mbi 30 raketa ruse kanë goditur një bazë për stërvitje ushtarake afër Polonisë – vend anëtar i NATO-s

Zyrtarët ukrainas kanë thënë se të paktën 35 persona janë vrarë dhe 134 janë plagosur pas sulmit në bazën në Javoriv.

Kjo bazë ushtarake përdoret për t’u stërvitur me instruktorë të NATO-s

Aeroporti afër qytetit perëndimor Ivano-Frankvisk është goditur po ashtu

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë se 1,300 trupa ukrainase kanë vdekur prej shpërthimit të luftës

Banorët e Mariupolit është thënë se janë duke jetuar në temperatura të ulëta, pa rrymë dhe me pak ushqim, teksa trupat ruse avancojnë në qytet

Ukraina po ashtu pretendon se trupat ruse kanë qëlluar një konvoj me gra dhe fëmijë, të cilët kanë qenë duke u larguar nga Kievi. Zyrtarë ukrainas kanë thënë se shtatë persona kanë vdekur, mirëpo Moska nuk ka komentuar ende.

Raundi i katërt i bisedimeve Ukrainë-Rusi/ Ja kur pritet të mbahet dhe çfarë do të diskutohet

Bisedime të mëtejshme midis Rusisë dhe Ukrainës mund të zhvillohen javën e ardhshme, sipas Mykhailo Podoliak, këshilltar i lartë i presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky.

"Sapo të përpunohen formatet e ndërsjella kundërligjore, do të planifikohet një takim -- raundi i katërt i negociatave. Mund të jetë nesër, pasnesër," i tha Podoliak, agjencisë shtetërore të lajmeve Bjellorusi, të dielën.

"Ka propozime të ndryshme në tryezën e bisedimeve tani, ka një duzinë propozime, duke përfshirë një zgjidhje politike dhe, më e rëndësishmja, një zgjidhje ushtarake. Unë nënkuptoj një formulë për armëpushim dhe tërheqjen e trupave”, tha ai.

"Ndoshta nuk është e nevojshme të shkojmë më tej dhe thjesht të kemi biseda. Ne diskutuam të gjitha çështjet, tani po përpiqemi t'i paketojmë këto çështje në disa formate ligjore," tha Podoliak, shkruan BBC, përcjell "Bota sot".

Të shtunën, Podoliak postoi një përditësim mbi bisedimet në Twitter.

"Negociatat me delegacionin e RF [Federatës Ruse] tani janë duke vazhduar në një format video të vazhdueshme. Janë krijuar nëngrupe të veçanta pune," shkroi ai. "Pozicionet e Ukrainës përcaktohen nga direktivat e mëparshme."

Rusia lëshoi mbi 30 raketa ajrore mbi qendrën ushtarake ukrianase – vdesin 35 persona dhe lëndohen qindra të tjerë

Raketat ruse goditën një bazë stërvitore ushtarake pranë kufirit perëndimor të Ukrainës me Poloninë anëtare të NATO-s, duke vrarë 35 persona. Sulmi pasoi pas kërcënimeve ruse për shënjestrimin e kolonave të huaja të armëve që po ndihmojnë luftëtarët ukrainas, shkruan AP, përcjell “Bota sot”.

Më shumë se 30 raketa ajrore ruse shënjestruan objektin e madh të trajnimit që është më pak se 25 kilometra nga pika më e afërt kufitare me Poloninë, sipas guvernatorit të rajonit perëndimor të Ukrainës Lviv. Polonia është një vend kyç për dërgimin e ndihmës ushtarake perëndimore për Ukrainën.

Që kur Rusia pushtoi Ukrainën, Lviv ishte kursyer kryesisht nga shkalla e shkatërrimit që po shpalosej më në lindje dhe u bë një destinacion për banorët që shpëtonin nga qytetet e bombarduara dhe për shumë prej afro 2.6 milionë refugjatëve që kanë ikur nga vendi.

Qendra e trajnimit në Yavoriv duket të jetë objektivi më i goditur deri më tani në pushtimin 18-ditor. Objekti, i njohur gjithashtu si Qendra Ndërkombëtare e Paqeruajtjes dhe Sigurisë, është përdorur prej kohësh për të trajnuar personelin ushtarak ukrainas, shpesh me instruktorë nga Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera të NATO-s.

Guvernatori i Lviv Maksym Kozytskyi tha se shumica e raketave të lëshuara të dielën "u rrëzuan sepse sistemi i mbrojtjes ajrore funksionoi. Ata që kaluan përmes vranë të paktën 35 njerëz dhe plagosën 134", tha ai.

Vazhdon terrori rus, rrëmbehet edhe një kryetar ukrainas

Forcat ruse kanë rrëmbyer kryetarin e qytetit jugor të Dniprorudne, tha ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba.

Yevhen Matveyev është kryetari i dytë ukrainas i dyshuar për rrëmbim nga avancimi i trupave ruse në tre ditët e fundit, pasi kryetari i Melitopolit u arrestua të premten.

Kuleba thotë se "kriminelët rusë të luftës" e kanë rrëmbyer Matvejevin, shkruan BBC, përcjell “Bota sot”.

"Duke marrë zero mbështetje lokale, pushtuesit kthehen në terror. Unë u bëj thirrje të gjitha shteteve dhe organizatave ndërkombëtare që të ndalojnë terrorin rus kundër Ukrainës dhe demokracisë," thotë ai.

Ukraina e cilëson sulmin ajror një “sulm terrorist”, kërkon ndihmë nga liderët botëror

Ministri i Mbrojtjes i Ukrainës ka reaguar ndaj sulmit ajror të Rusisë në bazën pranë kufirit me Poloninë.

Ai këtë sulm e ka cilësuar si një "sulm terrorist", shkruan Sky News, përcjell “Bota sot”.

Ministri vazhdoi të përsërisë thirrjet për një zonë ndalim-fluturim.

Mirëpo, liderët perëndimorë këtë gjë e kanë refuzuar në mënyrë të përsëritur mbi bazën se ka të ngjarë të përfshijë NATO-n të rrëzojë avionët luftarakë rusë - dhe të rrezikojë një përshkallëzim të madh që mund të zhvillohet efektivisht në një konflikt global.

Duda: Përdorimi i armëve kimike mund të nxisë intervenim të NATO-s

Përdorimi i armëve kimike nga Rusia në Ukrainë mund të nxisë NATO-n të rishqyrtojë vendimin e saj për të mos intervenuar në konflikt, ka thënë presidenti polak, Andrzej Duda për transmetuesin britanik, BBC.

I pyetur nëse beson se presidenti rus, Vladimir Putin mund të jetë duke u përgatitur për përdorim të armëve kimike, Duda ka thënë se “kjo është diçka që bota nuk e ka parë në këtë shkallë prej Luftës së Dytë Botërore”.

“Nëse më pyesni nëse Putin mund të përdorë armë kimike, mendoj se Putin mund të përdorë gjithçka tani, sidomos kur është në këtë pozitë të vështirë”.

“Politikisht ai e ka humbur këtë luftë, dhe në aspektin ushtarak, ai nuk po e fiton atë”.

I pyetur nëse përdorimi i armëve të tilla mund të nxisë intervenim të NATO-s, ai ka thënë: Natyrisht, secili shpreson që ai nuk do t’i përdorë ato.

“Mirëpo… nëse ai përdor armë të shkatërrimit masiv, kjo do të ndryshonte rregullat e lojës”.

“Natyrisht, (NATO) do të duhej të ulej në tavolinë dhe të mendonte seriozisht si të vepronte, sepse atëherë fillon që situata të bëhet e rrezikshme, jo vetëm në Evropë, por në gjithë botën”.

Rreth 1.7 milionë refugjatë ukrainas në Poloni

Pothuajse 1.7 milionë njerëz nga Ukraina kanë ikur në Poloni që nga fillimi i pushtimit rus më 24 shkurt, njoftoi sot në Twitter Roja Kufitare polake.

Vetëm të shtunën rreth 79 800 persona kanë kaluar kufirin, një rritje prej 5% krahasuar me një ditë më parë. Fluksi ishte veçanërisht i madh në pikën kufitare Medyka në provincën Subcarpathia.

“Të dielën, 16 800 refugjatë të tjerë ukrainas u regjistruan midis mesnatës (23:00 GMT) dhe 7:00 të mëngjesit”, tha Roja Kufitare.

Aktualisht nuk ka asnjë informacion zyrtar sesa prej refugjatëve kanë qëndruar në Poloni dhe sa prej tyre kanë udhëtuar në shtetet e tjera të BE-së.

Autobusi me ukrainas përmbyset në Itali, një i vdekur dhe disa të plagosur

Një autobus me rreth 50 ukrainas doli nga rruga në Itali, duke lënë një të vdekur dhe disa të plagosur, thanë zjarrfikësit të dielën.

Aksidenti ka ndodhur në autostradën midis Cesenës dhe Riminit, në bregun verilindor.

Fotografitë e postuara nga zjarrfikësit në Twitter tregojnë se autobusi ishte përmbysur, shkruan Reuters.

Operacionet e shpëtimit janë ende duke u zhvilluar, thanë zjarrfikësit.

Image
Pamje nga aksidenti

Një i vrarë nga një sulm ajror në Chernihiv

Një sulm ajror rus ka shkatërruar një ndërtesë shumëkatëshe në qytetin verior të Chernihiv, thotë Shërbimi Shtetëror i Emergjencave të Ukrainës.

Të paktën një person është vrarë dhe një tjetër është plagosur në sulm.

Ndërsa shtatë janë shpëtuar, thotë shërbimi.

Videot e paverifikuara në mediat sociale treguan tym të zi që derdhej nga ndërtesa nëntëkatëshe ndërsa zjarrfikësit po luftonin për të frenuar flakët.

Image
Pamje nga vendi i ngjarjes

Zëvendëskryeministrja e Ukrainës: Vendet e mëdha nuk po janë mjaft të ashpra me sanksione

Olha Stefanishyna, zëvendëskryeministrja e Ukrainës, thotë se vende të tilla si Franca dhe Gjermania nuk kanë shkuar aq larg sa i përket aplikimit të sanksioneve ndaj Rusisë.

Duke folur nga Strasburgu, ku ajo po negocion me liderët e BE-së për kërkesën e Ukrainës për t’u bashkuar me bllokun, ajo tha për Sky News: “Ata nuk po bëjnë aq sa mund të bënin”.

“E njëjta gjë vlen edhe për blerjen e naftës dhe gazit rus – Gjermania mori vendimin dje që të ndalojë blerjet e naftës dhe qymyrit, por gazi mbetet ende i madh.

Çdo qindarkë që shkon në ekonominë ruse shkon për të financuar ushtrinë ruse, e cila në thelb po kryen gjenocid ndaj popullit ukrainas duke masakruar civilë çdo ditë”, shtoi ajo.

Ukraina nxjerr shifrat, ja sa ushtarë rusë ka vrarë deri tani

Ushtria e Ukrainës në raportin e saj të përditshëm ka thënë se mbi 12 mijë ushtarë rusë janë vrarë që kur ka nisur ofensiva ruse në Ukrainë më 24 shkurt.

Sipas raportit të publikuar në Facebook, thuhet se janë shkatërruar edhe 374 tanke ruse, 1226 mjete të blinduara.

Poashtu edhe 140 sisteme të artilerisë.

Është raportuar për 74 aeroplanë luftarakë të shkatërruar e 86 helikopterë luftarakë.

Image
Pamje nga lufta në Ukrainë

Raportohet për sulm ndaj një treni për refugjatë

Një tren për pasagjerë, i cili ka qenë në rrugë për të evakuuar refugjatët nga lindja e Ukrainës, është sulmuar nga forcat ruse, duke vrarë një punëtor në të, ka thënë kompania kombëtare hekurudhore e Ukrainës.

Një punëtor është vrarë dhe të tjerë janë dërguar në spital me plagë, pas sulmit ndaj trenit në rajonin Donjeck, ka thënë kompania.

Treni ishte planifikuar që të evakuonte banorët nga rajonet Donjeck dhe Luhansk, përfshirë 100 fëmijë.

Kompania ka thënë se po bën “çdo përpjekje” për të evakuuar të gjithë refugjatët.

Image
Pamje nga lufta në Ukrainë

Nëntë të vdekur pas sulmit në bazën ushtarake

Nëntë persona kanë vdekur dhe 57 janë plagosur si pasojë e sulmit në një bazë ushtarake afër Lvivit, ka thënë guvernatori rajonal.

Ai ka thënë se Rusia ka hedhur 30 raketa në bazën ushtarake në Javoriv, sipas transmetuesit britanik, BBC.

Trupat e ushtarëve rusë “po mbushin morgjet bjelloruse”

Trupat e ushtarëve rusë të vrarë në luftën në Ukrainë, janë duke mbushur morgjet në Bjellorusi, ka thënë një banor lokal për Radion Evropa e Lirë.

Ushtarët e vdekur rusë janë duke u dërguar me kamionë nëpër morgje dhe më pas po dërgohen në Rusi me trena apo aeroplanë, kanë thënë banorët.

Ata e kanë përshkruar tmerrin kur kanë parë gjithë ata trupa të vdekur në një tren, i cili i ka transferuar trupat në Rusi.

“Numri i trupave është jashtëzakonisht i madh. Njerëzit në stacionin Mozir kanë qenë të shokuar me numrin e trupave në tren”, ka thënë një banor i Mozirit për Radion Evropa e Lirë.

Morgjet në Homel dhe Naroulia janë duke u mbushur po ashtu, kanë thënë banorët.

Mjekët bjellorusë janë kërcënuar me humbje të vendeve të punës nëse kapen duke përhapur informacione për ushtarët e vrarë apo të plagosur nga Rusia.

Zyrtarët amerikanë kanë vlerësuar se disa mijëra ushtarë rusë kanë vdekur në luftën që ka hyrë në javën e tretë.

Sulmi i Moskës ndaj Ukrainës ka nisur në orët e para të 24 shkurtit.

Presidenti rus, Vladimir Putin ka urdhëruar “operacion special” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Veprimi i Kremlinit ka nxitur zemërim dhe është dënuar në shumë vende të botës.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët janë përgjigjur me sanksione të ashpra kundër Moskës.

Alarmon Britania e Madhe: Rusët po përpiqen të rrethojnë forcat ukrainase

Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar thotë se rusët po përpiqen të rrethojn ë forcat ukrainase në lindje të vendit.

Komentet i bëri në përditësimin e saj të fundit ditor të inteligjencës.

Ata janë shprehur se forcat ruse po përparojnë në drejtim të Kharkivut në veri dhe Mariupol në jug, raporton BBC.

“Forcat ruse që përparojnë nga Krimea po përpiqen të anashkalojnë Mykolaivin, derisa synojnë të lëvizin drejt perëndimit”, thuhet në njoftimin e tyre.

Ukraina: Instruktorë të huaj ushtarak punojnë në bazën e sulmuar

Ministri i Mbrojtjes në Ukrainë, Oleksii Reznikov, ka thënë se instruktorë të huaj ushtarakë punojnë në një bazë ushtarake në Ukrainë, e cila është goditur nga Rusia.

“Informacioni për viktima është duke u verifikuar”, ka thënë Reznikov.

Një dëshmitar ka thënë për agjencinë e lajmeve, Reuters, se ka parë 19 ambulanca me sirena të lëshuara duke lëvizur nga drejtimi i bazës ushtarake.

“Ky është një tjetër sulm terrorist ndaj paqes dhe sigurisë afër kufirit të Bashkimit Evropian dhe NATO-s”, ka thënë Reznikov në Twitter.

Këto janë zhvillimet e fundit rreth luftës në Ukrainë:

Sulmet afër kufirit të NATO-s: Zyrtarët ukrainas kanë thënë se forcat ruse kanë hedhur raketa në një bazë ushtarake në perëndim të Ukrainës, rreth 25 kilometra larg kufirit me Poloninë – vend anëtar i NATO-s. Nuk ka raportime për viktima në bazën në Javoriv, e cila gjendet afër qytetit të Lvivit. Kryetari i qytetit tjetër perëndimor, Ivano-Frankvisk, ka thënë se aeroporti i qytetit është sulmuar po ashtu.

Kievi: Banorët e kryeqytetit ukrainas janë zgjuar sërish nën zhurmën e sirenave. Transmetuesi britanik, BBC ka thënë se sulmet me artileri janë të vazhdueshme. Për më shumë sulme është raportuar në pjesën veriore të qytetit, ku po afrohen forcat ruse.

Zëvendësohet kryetari i “rrëmbyer”: Është raportuar se ushtria ruse ka instaluar një kryetare të re në qytetin Metitopol – pas dyshimeve për marrjen peng të kryetarit të qytetit ditën e shtunë. Galina Danilchenko është shfaqur në një televizion lokal duke iu bërë thirrje banorëve që të mos marrin pjesë në “veprime ekstremiste”.

Vazhdojnë evakuimet: Korridoret humanitare për t’iu ndihmuar njerëzve që të evakuohen nga rajonet e rrethuara të Ukrainës, janë duke funksionuar, ka thënë presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky. Numri i evakuimeve ditore ka arritur në rreth 13,000. Furnizimet humanitare në qytetin e Mariupolit pritet të arrijnë më vonë gjatë ditës së diel.

Ndërkohë në Uashington: Presidenti amerikan, Joe Biden, ka thënë se Shtetet e Bashkuara do të dërgojnë në Ukrainë armë të vogla, anti-tanke dhe armë tjera për mbrojtje kundër sulmeve ajrore në vlerë të 200 milionë dollarëve. Rusia ka paralajmëruar se mund të godasë këto furnizime.

Zelensky akuzon Rusinë: Ja si po tenton për ta ndarë Ukrainën

Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky, ka thënë se Rusia po përpiqet të krijojë “pseudo-republika” të reja për të ndarë vendin.

Zelensky iu bëri thirrje rajoneve të Ukrainës, përfshirë Khersonin, ra në duart e forcave ruse, të mospërsërisin përvojën e Donetskut dhe Luhanskit.

Separatistët pro-rusë filluan të luftojnë forcat ukrainase në ato rajone lindore në vitin 2014.

“Okupatorët në territorin e rajonit Kherson po përpiqen të përsërisin përvojën e trishtuar të formimit të pseudo-republikave,” tha Zelenskyy.

“Ata po shantazhojnë drejtuesit lokalë, po u bëjnë presion deputetëve, po kërkojnë dikë që të japin ryshfet”, tha ai.

“Anëtarët e këshillit të qytetit në Kherson, një qytet jugor me 290 mijë banorë, të shtunën kundërshtuan planet për një pseudo-republikë të re”.

Çfarë është Qendra Ndërkombëtare për Ruajtjen e Paqes dhe Sigurisë?

Administrata ushtarake e rajonit të Lvivit ka thënë se Qendra Ndërkombëtare për Ruajtjen e Paqes dhe Sigurisë në rajonin Javoriv, është shënjestruar në orët e hershme të mëngjesit nga forcat ruse.

Qendra, e cila gjendet 30 kilometra larg Lvivit, është formuar më 2007 për të trajnuar forcat e armatosura të Ukrainës, sidomos misionet paqeruajtëse.

Ajo është rregullisht nikoqire e trupave ndërkombëtare.

Një dokument i NATO-s, në qendër përmend se vetë Qendra Ndërkombëtare për Ruajtje të Paqes dhe Sigurisë synon të ofrojë trajnime për çminim dhe sigurinë ndaj minave për ukrainasit dhe trupat e shteteve tjera.

Kjo qendër është vetëm disa kilometra larg kufirit me Poloninë, rrjedhimisht Bashkimit Evropian dhe NATO-s.

Deklarimi i Rusisë për luftën në Ukrainë

Trupat ruse kanë shkatërruar 3,687 objekte të infrastrukturës ushtarake të Ukrainës, ka thënë zëdhënësi i Ministrisë ruse të Mbrojtjes, Igor Konashenkov, sipas agjencive ruse të lajmeve.

“Askush nuk dëshiron të vdesë”, thonë ushtarët adoleshentë të Ukrainës

Pak më shumë se një javë më parë korrespondenti i BBC, Jeremy Bowen, takoi një grup të rinjsh që kishin dalë vullnetarë në një qendër në Kiev për të luftuar për Ukrainën.

Shumica e tyre ishin në fund të adoleshencës, jo shumë kohë që kishin lënë shkollën. Ata i thanë Bowen se pas tre ditëve të trajnimi bazë do të niseshin për në vijën e parë, ose shumë afër saj.

Maksym Lutsyk, një student 19-vjeçar i biologjisë, tha pwr BBC se nuk ishte i shqetësuar për përpjekjen për t’u bërë ushtar pas më pak se një jave mësimi. Ai do të arrinte, pas pesë vjetësh në Skaut, jo vetëm të mësonte aftësitë e pyjeve, por edhe disa trajnime për armë. Ai ishte 10 vjeç kur filloi lufta e gjatë e Ukrainës me separatistët e sponsorizuar nga Moska në 2014.

“U mësova me armën time. Mësova si të gjuaj dhe si të veproj në betejë, si dhe shumë gjëra të tjera që do të jenë shumë të rëndësishme në luftën me rusët”, tha Dmytro duke qeshur sikur e kishte të vështirë të imagjinonte atë që po mendonte.

“Ndihem shumë më i sigurt se sa më parë, sepse marrim njohuri të mjaftueshme në taktikë, në artet marciale, në mjekësinë taktike dhe se si të bëjmë diçka në fushën e betejës”. Vetëm gjysmë shaka, ai donte të shihte flamurin ukrainas të valëvitur nga Kremlini.

Pyetja në mendjen e të gjithëve këtu është nëse beteja po vjen për Kievin. “Është padyshim e mundur”, tha Dmytro. “Ne vetëm duhet t’i ndalojmë ata këtu, sepse nëse ata arrijnë në Kiev, kjo luftë mund të përfundojë.”

Familjet e tyre janë ende atje. Maksym tha me shaka se nëna e tij i kishte thënë të qëndronte në një strehë dhe të bëhej vullnetar për të gatuar ushqimin. Ai u kishte kursyer atyre detajet e vendosjes së tij, sepse nuk donte t’i shqetësonte.

Prindërit e Dmitros e dinin se çfarë po bënte. Ai kishte filluar të bënte vullnetarë për të bërë koktej molotovi dhe pas disa ditësh i telefonoi babait për t’i thënë se kishte vendosur të bashkohej me forcën e mbrojtjes së territorit. Babai i tij i tha të mos përpiqej shumë për të qenë një hero.

“Është në natyrën njerëzore të ndihesh i frikësuar, dhe sigurisht thellë në shpirt ndihem pak i frikësuar, pasi askush nuk dëshiron të vdesë, edhe nëse është për vendin tënd. Pra, vdekja nuk është një opsion për ne”.

Gazetarët e huaj nuk kanë akses te të rinjtë rusë vetëm disa milje larg në anën tjetër të vijës së frontit. Shumë besohet se janë rekrutë, të cilëve nuk u është thënë siç duhet se çfarë po planifikohej për ta. Luftërat bëhen kryesisht nga të rinjtë.

Image
Pamje nga lufta në Ukrainë

NATO nis sot stërvitjen ushtarake ndërsa sulmet ruse janë shtuar jashtë Kievit

Rreth 30 mijë ushtarë, 200 avionë dhe 50 anije nga 27 shtete do të vendosen në Norvegji për stërvitjen më të madhe që përfshin trupat e NATO-s këtë vit.

Operacioni i koduar “Cold Response 2022”  (Pergjigjja e Ftohtë 2022) do të nisë të hënën më 14 mars. Stërvitja ushtarake ishte planifikuar prej kohësh të ndodhte, raporton BBC, por përballë pushtimit të Ukrainës nga Moska, kjo stërvitje merr një vlerë më të madhe për vetë faktin se nuk është shumë larg kufirit me Rusinë.

Image
Pamje nga lufta në Ukrainë

Duke nisur më 14 mars, manovrat do t'u mundësojnë vendeve perëndimore të përmirësojnë aftësitë e tyre luftarake në klimën e ftohtë të Norvegjisë, duke përfshirë në Arktik, në tokë, në det dhe në qiell shkruan AFP

"Kjo stërvitje është jashtëzakonisht e rëndësishme për sigurinë e Norvegjisë dhe aleatëve të saj ", tha për AFP ministri norvegjez i mbrojtjes Odd Roger Enoksen.

Ndërkohë drejtori i departamentit evropian të Ministrisë së Jashtme ruse, Sergei Belyayev deklaroi se anëtarësimi i mundshëm i Finlandës dhe Suedisë në NATO do të kishte pasoja të rënda ushtarake dhe politike dhe do të kërkonte që Rusia të merrte masa hakmarrëse.

"Është e qartë se anëtarësimi i tyre në Aleancë, e cila është kryesisht një organizatë ushtarake, do të sillte pasoja politike dhe ushtarake që do të kërkonin nevojën e rishikimit të marrëdhënieve me këto vende dhe të marrin masa hakmarrëse”, tha Belyaev për Interfax.

Rusia ka nisur pushtimin e paprovokuar të Ukrainës më 24 shkurt. Presidenti rus, Vladimir Putin, e ka cilësuar si "operacion special". Perëndimi e ka dënuar ashpër pushtimin dhe ka vendosur një varg sanksionesh të rënda kundër Rusisë.

Luftime të ashpra po zhvillohen në periferi të Kievit. Inteligjenca britanike tha se një korpus i forcave ruse gjendet 25 kilometra larg qendrës së Kievit. Zyrtarët ukrainas kanë shprehur frikën se Rusia po përgatitet të nisë një sulm të madh ndaj kryeqendrës ukrainase.

***

Pse është i rëndësishëm Lvivi?

Siç kemi raportuar më herët, zyrtarët ukrainas kanë thënë se forcat ruse kanë sulmuar me raketa një qendër të stërvitjeve ushtarake jashtë qytetit të Lvivit.

Është raportuar se nuk ka pasur shpërthime në qendër të Lvivit.

Lvivi është vetëm 80 kilometra larg kufirit me Poloninë dhe qytet drejt të cilit janë nisur shumë ukrainas, të cilët i kanë ikur luftës nga rajone tjera.

Në ditët e para të pushtimit rus, forcat e Rusisë kanë shënjestruar rajonet në veri, lindje dhe jug, duke përfshirë kryeqytetin, Kievin.

Mirëpo në ditët e fundit ka pasur raportime edhe për shpërthime në qendër të shtetit, sikurse në Dnjipro dhe perëndim në qytetin Ivano-Frankvisk.

Lvivi është qytet i njohur për trashëgiminë kulturore.

Deri më tani nuk është prekur nga pushtimi rus.

Përse Mariupol është i rëndësishëm për Rusinë?

Mariupoli është përballur gjatë ditëve të fundit me bombardime të rënda ruse, duke shkatërruar rrugë, ndërtesa dhe infrastrukturën kryesore të qytetit. Mijëra njerëz kanë humbur jetën si pasojë e sulmeve ruse.

Mariupol ndodhet në juglindje të Ukrainës në veri të Detit Azov. Por përse Mariupol është kaq me rëndësi për Rusinë? Nëse kjo e fundit e merr atë, krijon korridor tokësor për në Krime, të cilën Rusia e aneksoi nga Ukraina në vitin 2014.

Ky korridor do të linte të rrethuara ose të izoluara forcat ukrainase nga ana logjistike. Mariupoli është gjithashtu një qytet i rëndësishëm industrial, ku prodhohet hekuri dhe çeliku.

Kryetari i Bashkisë së Mariupol thotë se mbi 1500 persona kanë humbur jetën në këtë qytet që nga fillimi i pushtimit rus. Mariupol ka një popullsi prej 430 mijë banorë.

***

Kryetari i Ivano-Frankviskut: Është sulmuar aeroporti

Më herët është raportuar për shpërthime në qytetin perëndimor, Ivano-Frankvisk.

Tani kryetari i qytetit ka thënë se aeroporti është goditur nga një raketë.

“Sipas informacioneve preliminare, shpërthimet në këtë mëngjes kanë qenë të një sulmi në aeroport”, ka thënë Ruslan Martsinkiv në Facebook.

“Ju kujtoj se qëllimi i armikut është paniku dhe frika”, ka thënë ai.

Ky qytet është rreth 114 kilometra në jug të Lvivit, ku është goditur një bazë për stërvitje ushtarake.

Britanikëve u ofrohen 350 funta në muaj për të strehuar refugjatët ukrainas

Banorët e Mbretërisë së Bashkuar, të cilët strehojnë refugjatët ukrainas, do të pranojnë një pagesë falënderuese prej 350 funtash në muaj, ka thënë Qeveria britanike.

Sipas skemës Shtëpi për Ukrainën, britanikët do të mund të caktojnë një individ apo familje që do të qëndrojë me ta, apo të ofrojnë një pronë ndaras që refugjatët ta përdorin pa qira.

Ata që do të ofrojnë strehim do të verifikohen dhe do të duhet të jenë të angazhuar për të paktën gjashtë muaj.

Mirëpo Këshilli për Refugjatë – organizatë bamirëse që mbështet refugjatët dhe azilkërkuesit – ka thënë se skema nuk ofron mbështetje të mjaftueshme.

Moldavia: Na duhet ndihmë me fluksin e refugjatëve

Refugjatët kanë vazhduar të marrin rrugë nga Ukraina drejt Moldavisë, duke e nxitur lideren moldave të bëjë thirrje për ndihmë ndërkombëtare, ashtu që shteti të përballet me këtë fluks.

“Ne kemi tani mbi 270,000 njerëz që kanë kaluar kufirin”, ka thënë kryeministrja moldave, Natalia Gavrilița për transmetuesin britanik, BBC.

“Me shumë se 100,000 njerëz kanë vendosur të qëndrojnë – të paktën përkohësisht. Për një shtet si Moldavia këto janë shifra të larta”.

Moldavia, shtet i vogël me rreth 2.5 milionë banorë, gjendet mes Ukrainës dhe Rumanisë, dhe ka një prej ekonomive më të brishta në Evropë.

Numri i refugjatëve përbën rreth 4 për qind rritje në popullsinë e saj.

Gavrilița ka thënë se qytetarët moldavë janë duke ndihmuar në strehimin e refugjatëve.

“Ne jemi shumë të shqetësuar për pasojat ekonomike të luftës.. e cila është duke goditur rëndë një shtet si Moldavia, ndër më të varfrit në Evropë. Neve na duhet ndihmë nga jashtë”, ka thënë mes tjerash ajo.

Sirenat e sulmit ajror alarmojnë ukrainasit

Sirenat e sulmit ajror janë dëgjuar në disa pjesë të Ukrainës.

Alarmet u ranë në Zhytomyr, në perëndim të kryeqytetit Kiev, si dhe në rajonet Ternopil, Rivne dhe Ivano-Frankivsk, shkruan BBC.

LEDXO edhe: Luftime të ashpra me agresorin rus/ Ky është synimi i radhës i Rusisë në Ukrainë

Gjithashtu, sirenat kanë rënë në rajonin Volyn në veriperëndim dhe Kramatorsk në Ukrainën lindore.

Ndërkaq, ende nuk ka informata nëse ka viktima nga sulmet ruse.

Shpërthime edhe në Ivano-Frankivsk

Qytetarët e Ukrainës sërish nuk kanë pasur një gjumë të mirë.

Gjatë tërë natës ka pasur shpërthime të shumta, tansmeton "Bota sot".

BBC shkruan se ka pasur shpërthime në qytetin perëndimor të Ivano-Frankivsk.

Përveç mediave ndërkombëtare për këto shpërthime kanë raportuar edhe mediat ukrainase.

Goditet me raketa baza e stërvitjes ushtarake në Lviv

BBC ka njoftuar se ka ndodhur një shpërthim në bazën e stërvitjes ushtarake në Lviv.

Zyrtarët ushtarakë të Lviv kanë thënë se forcat ruse kanë kryer një sulm ajror, ku kanë qëlluan me tetë raketa në Qendrën Ndërkombëtare të Paqeruajtjes dhe Sigurisë.

Qendra ndodhet rreth 30 km në veriperëndim të Lviv, transmeton "Bota sot".

Gjithashtu, Korrespondenti i Buzzfeed Christopher Miller raportoi se kryebashkiaku i Lviv ka konfirmuar sulmin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat